Frikë në Perëndim se Putini do ta zgjatë luftën deri në zgjedhjet e ShBA-së, e pret humbjen e Bidenit - NACIONALE

Frikë në Perëndim se Putini do ta zgjatë luftën deri në zgjedhjet e ShBA-së, e pret humbjen e Bidenit

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Zyrtarë të lartë amerikanë e evropianë janë të shqetësuar se presidenti rus, Vladimir Putin, është duke i faktorizuar zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm në ShBA në planifikimin e luftës në Ukrainë, me shpresë që një humbje e mundshme e presidentit Joe Biden do t’i sillte do ta pakësimin e mbështetjes për Ukrainën dhe përmirësimin e pozicionit negociues të Rusisë, i thanë televizionit CNN katër zyrtarë amerikanë.

ShBA-ja ende nuk ka të dhëna të qarta të inteligjencës për mendësinë e Putinit ose nëse ai është duke e zvarritur qëllimisht luftën me shpresë që Donald Trumpi ose ndonjë kandidat tjetër i Partisë Republikane do t’i fitojë zgjedhjet, raporton televizioni CNN.

Megjithatë, zgjedhjet e vitit të ardhshëm në ShBA mbeten faktor kyç, për të cilin zyrtarë të lartë perëndimorë të sigurisë kombëtare, inteligjencës dhe diplomacisë besojnë se do të ndikojë në vendimet e Putinit për Ukrainën, duke i zvogëluar edhe më shumë gjasat që lufta të zgjidhet para fundit të vitit 2024.

Sipas një sondazhi të kryer nga SSRS-ja për televizionit CNN e që u publikua të premten, shumica e amerikanëve janë kundër ndarjes së fondeve shtesë nga Kongresi për ta përkrahur Ukrainën, përderisa publiku është përçarë për atë nëse ShBA-ja ka bërë ose nuk ka bërë tashmë mjaftueshëm për ta mbështetur Kievin.

Një zyrtar amerikan tha se nuk ka dyshim se Putini “po mundohet që të mbahet” deri në zgjedhjet e vitit 2024 në ShBA. Një burim tjetër, i afërt me inteligjencën, tha se “është disi si elefanti në dhomë” për ShBA-në, Ukrainë dhe Evropën.

“Putini e di se Trumpi do ta ndihmojë dhe këtë e dinë edhe ukrainasit dhe partnerët tanë evropianë”- tha burimi. “Prandaj, edhe pse nuk kemi parë asgjë të qartë për këtë efekt, duhet të supozoni, besoj unë, se secili është duke menduar për këtë”- shtoi ai.

Një diplomat evropian i tha televizionit CNN se besojnë që përpjekja për ta vazhduar luftën në Ukrainë deri në zgjedhjet në ShBA “është saktësisht plani i Putinit”.

Zyrtarët që folën në kushte anonimiteti me televizionin e njohur amerikan besojnë se Putini mund të jetë duke pritur një fitore të Trumpit ose të ndonjë kandidati tjetër të Partisë Republikane si nxitje për tërheqje të përkrahjes së ShBA-së për Ukrainën. Ata thanë se syri i Putinit mbi zgjedhjet amerikane e bën edhe më të rëndësishëm vazhdimin e përkrahjes së ShBA-së për Ukrainën, zotim që administrata e presidentit Biden vazhdon që ta përsërisë.

Trumpi, si kandidat dukshëm favorit për nominimin e Partisë Republikane për zgjedhjet presidenciale, nuk është zotuar për ta mbështetur Ukrainën. Ai ka pretenduar se si president do ta zgjidhte luftën për 24 orë.

Lajme të ngjashme