Trumpi thotë se Rusia e Ukraina duhet të bëhen bashkë në bisedime e të imponohet paqja
Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, admirues i vjetër i presidentit rus, Vladimir Putin, tha të enjten se Putini “disi është dobësuar” nga kryengritja e dështuar e mercenarëve dhe se tani është koha që Shtetet e Bashkuara të përpiqen që të ndërmjetësojnë për një marrëveshje të negociuar të paqes mes Rusisë dhe Ukrainës. Ai tha, gjithashtu, se është koha që mes Rusisë dhe Ukrainës të bëhet paqe.
“Dua që njerëzit të mos ndalin së vdekuri për këtë luftë qesharake”- i tha Trumpi agjencisë “Reuters” përmes një interviste me telefon.
Duke folur në rrafsh të gjerë për politikën e jashtme, favorite për ta fituar garën për nominimin e Partisë Republikane për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024 tha se Kinës duhet t’i jepet afat 48-orësh që të tërhiqet nga ajo që burimet e afërta me çështjen e quajnë aftësi të Kinës për spiunazh në ishullin e Kubës, 145 kilometra larg bregdetit të ShBA-së.
Sa i përket Ukrainës, Trumpi nuk e përjashtoi mundësinë që Kievi do të duhet t’i dorëzojë një pjesë të territorit Rusisë për ta ndalur luftën. Ai tha se gjithçka do të ishte “subjekt i bisedimeve”, nëse do të ishte president, por se ukrainasit, që kanë zhvilluar luftë të fuqishme për ta mbrojtur tokën e tyre, “kanë fituar shumë kredi”.
“Mendoj se ata do të ishin të denjë për të mbajtur shumë prej asaj që e kanë fituar dhe mendoj se Rusia, gjithashtu, do të pajtohej me këtë. Ka nevojë për ndërmjetësin, ose negociatorin, e duhur dhe nuk e kemi atë tash për tash”- shtoi ish-presidenti Trump.
“Mendoj se gjëja më e madhe që ShBA-ja do të duhej të ishte duke e bërë tash për tash është bërja e paqes – bërja bashkë e Rusisë dhe Ukrainës dhe bërja e paqes. Mund ta bëni këtë. Kjo është koha për ta bërë këtë, të bëhen bashkë palët dhe të imponohet paqja”- tha miliarderi amerikan.
Kur ishte president, Trumpi ndërtoi marrëdhënie miqësore me Putinin. Ish-presidenti amerikan tha se Putini është dëmtuar nga kryengritja e mercenarëve të grupit “Wagner” dhe nga udhëheqësi i këtij grupi, Yevgeny Prigozhin.
“Mund të thoni se ai (Putini) është ende aty, ende është i fortë, por qartazi ka qenë – do të thosha – disi i dëmtuar të paktën në mendjen e shumë njerëzve”- tha Trumpi.
