"Jam shokuar": Ish-Prokurori i Trumpit thotë se pas aktakuzës së Jack Smithit ai mund të jetë "i mbaruar"
Ish-Prokurori i Përgjithshëm i ShBA-ve që shërbeu në kohën e Donald Trumpit, Willam Barr, ka thënë se ish-presidenti është “i mbaruar” nëse pretendimet se keqpërdori dokumentet e klasifikuara provohen të jenë të vërteta.
Barri e kritikoi ish-shefin e tij dhe tha se ai nuk kishte pasur asnjë të drejtë të mbante dosjet që pretendohet se i janë gjetur në shtëpi.
Z. Trump u paraqit në një gjykatë në Miami të martën e kaluar për t’u përballur me dhjetëra akuza që thonë se ai në mënyrë të paligjshme kishte mbajtur informaicon të klasifikuar, raporton BBC.
Ai vazhdimisht e ka mohuar fajësinë.
Duke folur për Fox News të dielen, z. Barr, që ishte Prokuror i Përgjithshëm prej shkurtit 2019 e deri në dhjetor 2020 mbrojti padinë prej 37 pikave të aktakuzës që u bë publik të premten nga Prokurori Special Jack Smith.
“Jam shokuar nga shkalla e ndjeshmërisë së këtyre dokumenteve dhe se sa shumë që ishin... dhe besoj që akuzat nën Aktin e Spiunazhit se ai me qëllim i mbajti dokumentet janë akuza solide,” – tha ai.
“Edhe nëse gjysma e tyre janë të vërteta, ai është i mbaruar. Është një aktakuzë shumë e detajuar dhe shumë e rëndë.”
“Plane betejash për sulmin në një vend tjetër apo... dokumente për kapacitetet tona në asnjë univers nuk janë dokumente personale të Donald Trumpit,” – u shpreh z. Barr.
“Ato janë dokumente qeveritare.”
73-vjeçari dikur ishte prej aleatëve më të palëkundur të Trumpit, por edhe ai u bë gjithnjë e më kritik prej që u largua nga detyra.
Barr tha se mendimi se aktakuza ishte e motivuar politikisht – siç po thotë Trumpi – ishte “qesharak”.
Kujtojmë se Trump ka shpërthyer me fyerje ndaj Prokurorit Special Jack Smith pasi iu ngrit aktakuza. Ai madje ka pretenduar edhe se Jack Smith ka emër tjetër, dhe se punon me monstra.
Jack Smith ishte Kryeprokuror në Gjykatën Speciale në Hagë ku po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit katër ish-liderë të UÇK-së, përfshirë presidentin Hashim Thaçi.

