“U qëllua në qafë, pastaj në zemër” – Babai ukrainas rrëfen se si iu vra djali në Buça
Familjarët e njerëzve të vrarë në Buça, në periferi të Kievit, po mundohen që t’i identifikojnë dhe t’i marrin trupat e të afërmve të tyre. Ukraina thotë se mbi 1.000 trupa janë gjetur në Buça ose përreth saj që nga tërheqja e forcave ruse nga prilli. Në shumë trupa shihen shenja të torturimit.
Radioja “Evropa e Lirë” sjell rrëfimin e një babai ukrainas, i cili tha se ka shkuar në një qendër informimi për ta identifikuar trupin e të birit të vrarë. Ai tregon se si është vrarë djali i tij dhe si nuk ka qenë i informuar për vrasjen e tij për dy javë.
“Erdha këtu për ta identifikuar trupin e të birit tim. Ai u qëllua më 3 mars. Vetura e tij u kaplua nga zjarri dhe ai u dogj brenda saj. Kuptova për tragjedinë e tij më 17 mars. Nga 3 marsi deri më 17 mars, macet dhe qentë ishin duke e grimcuar... Nuk di. Po qaj tani, por do të qetësohem pas pak”, rrëfen duke dënesur burri i quajtur Hryhoriy Ruchkovskiy.
“Ishte duke u larguar nga Buça me veturë, me bashkëshorten e tij. Filluan të shtënat dhe kishte tanke. Fillimisht, u godit në qaftë, pastaj në zemër. Bashkëshortja e tij e hapi derën dhe doli. Vetura filloi të digjej”, shtoi ai.
“Shtëpia u shkatërrua. I biri u qëllua. Unë jam 82 vjeç. Çfarë kam për të humbur? Po ecja dhe një herë u ndala nga një (ushtar rus) me granata, thika e pushkë të mbushur. Ai tha se edhe Putini, edhe Zelensky kanë faj. Pra, ata kanë ardhur për të na vrarë dhe ne duhet të fajësohemi në mënyrë të barabartë. Kështu mendojnë ushtarët e tyre 22-vjeçarë”, tha prindi i pikëlluar.
Psikoterapistja Anna Tolit tregon se sa i vështirë në aspektin emocional është për familjarët procesi i kërkimit të trupave të më të dashurve të tyre.
“Njerëzit po vijnë dhe po i kërkojnë familjarët në listat e emrave dhe veçoritë dalluese. Kishte informata për një fëmijë 5-vjeçar të vrarë. Ky është gjenocid, sipas mendimit tim. Njerëzit na pyesin: Nuk do ta humbni trupin, apo jo? A do të na e jepni trupin? A jeni të sigurt?”
“Ka shumë trupa, prandaj ka vonesa. Njerëzit janë të brengosur për këtë, që është traumë shtesë për ta”, shtoi ajo.
Një këshilltare e kryetarit të Buça-s thotë se po vazhdon kërkimi i trupave. “Zyrtarisht, 412 trupa janë gjetur në Buça. Do të themi se i kemi gjetur të gjithë trupat, kur ta përfundojmë kërkimin derë më derë”, tha ajo.
Përktheu nga anglishtja: Gazeta Nacionale