U dënua gabimisht me vdekje e u mbajt 46 vjet në burg, dëmshpërblim milionësh për japonezin
Një burrë japonez, i cili ishte dënuar pa të drejtë për vrasje të katërfishtë dhe i cili ka qenë i burgosuri me pritjen më të gjatë për t’u ekzekutuar, është dëmshpërblyer me 1 milion e 400 mijë dollarë, ka thënë një zyrtar.
Ky dëmshpërblim paraqet 83 dollarë për secilin ditë prej 46 vjetëve që Iwao Hakamada i kaloi në ndalim, shumicën e kohës në pritje të ekzekutimit, kur secila ditë ka mundur të ishte e fundit për të, raporton gazeta “The Guardian”.
Ish-boksieri, tani 89 vjeç, ishte liruar nga akuzat vitin e kaluar për vrasje të katërfishtë më 1966 pas një fushate të palodhshme nga motra e tij e njerëz të tjerë.
Gjykata e Qarkut në Shizuoka, në një vendim që e mban datën e 24 marsit, tha se “paditësit duhet t’i dhurohen 217 milionë e 362 mijë e 500 jenë”, i tha agjencisë së lajmeve AFP një zëdhënës i gjykatës.
Gjykata e njëjtë kishte marrë vendim në shtatorin e vitit të kaluar, përmes një procesi të rigjykimit, se Hakamada nuk ishte fajtor dhe se policisë i ishin ngatërruar provat.
Hakamada ishte ballafaquar me “marrje çnjerëzore në pyetje që e kishin për qëllim dhënien me forcë të një deklarate (rrëfimi)” të cilën ai më vonë e tërhoqi, kishte thënë gjykata. Mediat lokale raportuan se shuma e dëmshpërblimit është rekord për këtë lloj kompensimi.
Megjithatë, ekipi ligjor i Hakamada-s ka thënë se të hollat nuk e shpaguajnë dhimbjen që ai e ka përjetuar./Nacionale