Turqia shtrenjton rrymën 50 për qind për industrinë, 20 për qind për shtëpitë
Autoritetet turke të enjten i rritën për rreth 50 për qind çmimet e rrymës dhe gazit natyror për sektorin e industrisë dhe për rreth 20 për qind për amvisërinë, duke rrezikuar që ta rrisin edhe më shumë inflacionin, i cili ishte gati 80 për qind në korrik.
Reuters
Rritja e çmimeve të rrymës e gazit pritet që ta rrisë inflacionin për 0.8 për qind, sipas përllogaritjes së agjencisë “Reuters”, përderisa rritja e çmimeve në industri gjithashtu shkakton rritje të tërthortë të inflacionit, sepse prodhuesit e pasqyrojnë koston te konsumatorët.
Rregullatori i energjisë në Turqi, EPDK, tha se i ka rritur çmimet e energjisë për amvisëri për 20 për qind, energjinë e përdorur nga sektorët publike dhe të shërbimeve për 30 për qind, ndërsa për industrinë 50 për qind.
Importuesi shtetëror i energjisë, BOTAS, tha se e ka rritur çmimin e gazit natyror për përdorim shtëpiak për 20.4 për qind, ndërsa çmimin e gazit për përdorim nga klientët mesatar industrial për 47.6 për qind. Gazi për përdoruesit e mëdhenj industrialë është shtrenjtuar për 50.8 për qind.
BOTAS tha se çmimi i gazit që përdoret për prodhimin e rrymës është rritur për 49.5 për qind.
Të dyja këto institucione i përmendën konfliktin në Ukrainë dhe zhvillimet globale, përfshirë pandeminë e koronavirusit, si arsye për shtrenjtimin e çmimeve.
Turqia është pothuajse tërësisht e varur nga importi për t’i plotësuar nevojat për gaz natyror e naftë, ndërsa kërkesa e brendshme është rritur që nga pandemia.
Rritja e çmimeve globale të energjisë këtë vit si dhe rënia e madhe e vlerës së lirës turke – 44 për qind më 2021 dhe mbi 27 për qind këtë vit – ka shkaktuar rritje të çmimeve në këtë shtet.
Çmimet e gazit natyror për amvisëri janë rritur për hiç më pak se 174 për qind vetëm këtë vit. Çmimet për klientët e mesëm industrialë janë rritur për 277 për qind, ndërsa për klientët e mëdhenj industrial për 379 për qind.
Sidoqoftë, importuesi shtetëror i energjisë tha se shteti ende paguan 80 për qind të shpenzimeve të gazit natyror për amvisërinë./Nacionale

