Inflacioni në Turqi arrin në shkallën më të lartë që nga viti 1998 - NACIONALE

Inflacioni në Turqi arrin në shkallën më të lartë që nga viti 1998

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Niveli i inflacionit vjetor në Turqi shkoi në shkallën më të lartë në 24 vitet e fundit, duke arritur në 73.5 për qind në maj, i nxitur nga lufta në Ukrainë, rritja e çmimit të energjisë dhe rënia e vlerës së lirës. Sidoqoftë, kjo shifër ishte pak më e ulët se ajo që ishte parashikuar nga ekonomistët.

Reuters

Inflacioni në Turqi është rritur nga vjeshta e kaluar, kur vlera e lirës ra për shkak se Banka Qendrore vendosi që ta ulte shkallën e interesit, sipas kërkesës së presidentit turk, Rexhep Erdogan.

Shifra e fundit e kaloi nivelin prej 73.2 për qind, të shënuar në vitin 2002, dhe është më e larta që nga tetori i vitit 1998, kur inflacioni vjetor ishte 76.6 për qind dhe Turqia po luftonte për t’i dhënë fund inflacionit të lartë prej një dekade. Sidoqoftë, parashikimi ishte që inflacioni kësaj radhe të shkonte në 76.55 për qind.

Instituti i Statistikave tha të premten se çmimet e konsumit nga muaji në muaj u rritën për 2.98 për qind, më pak se parashikimi i agjencisë “Reuters” prej 4.8 për qind.

Kostoja e transportit janë rritur për 108 për qind, ndërsa kostoja e ushqimit për 92 për qind gjatë vitit të fundit, duke e pasqyruar krizën ekonomike në rritje për turqit, të cilët po kanë vështirësi që t’i sigurojnë produktet elementare.

Indeksi i çmimeve të prodhuese vendës u rrit për 8.76 për qind nga muaji në muaj në maj, duke e çuar në 132.16 për qind rritjen fjetore e duke treguar se rënia prej 20 për qind e vlerës së lirës këtë vit e ka rritur koston e importeve.

Lira u dobësua për 0.25 për qind në raport me dollarin, duke rënë në nivelin më të ulët që nga dhjetori i vitit të kaluar. Vlera e saj ka rënë për 44 për qind më 2021 dhe 20 për qind këtë vit.

Në prill, Banka Qendrore parashikoi që inflacioni do ta arrijë kulmin në qershor para se të bjerë në rreth 43 për qind në fund të vitit dhe në numër njëshifror në fund të vitit 2024.

Qeveria turke më parë ka thënë se inflacioni do të bjerë në nivel njëshifror vitin e ardhshëm me programin e ri ekonomik, i cili i jep përparësi shkallës së ulët të interesit për t’i fuqizuar prodhimin dhe eksportimin. Megjithatë, të dhënat e publikuara të enjten treguan se deficiti tregtar në maj shkoi në 157 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke e arritur shifrën e 10.7 miliardë dollarëve.

Ekonomistët presin që shkalla e inflacionit të mbetet e lartë gjatë këtij viti për shkak të luftës në Ukrainë, dobësimit të lirës dhe ngurrimit të Bankës Qendrore për ta rritur shkallën e interesit./Nacionale

Lajme të ngjashme