Turqia në bisedime për fonde deri në 10 miliardë dollarë nga Katari - NACIONALE

Turqia në bisedime për fonde deri në 10 miliardë dollarë nga Katari

1 vit më parë

nga NACIONALE

Turqia dhe Katari janë në fazat përfundimtare të bisedimeve që Doha të ofrojë financim me shifër deri në 10 miliardë dollarë për Ankaranë, përfshirë deri në tre miliardë dollarë deri në fundin e këtij viti, i thanë agjencisë “Reuters” dy zyrtarë të lartë turq dhe një burim tjetër.

Njëri nga zyrtarët tha se fondet totale mund ta marrin formën e një shkëmbimi, obligacioni ose metode tjetër dhe se udhëheqësit e Turqisë dhe Katarit kanë diskutuar për këtë çështje, përcjell gazeta Nacionale.

Këto fonde të huaja mund ta ndihmojnë përkrahjen e rezervave të valutave të huaja për ta mbështetur politikën e pazakontë në ekonomi të presidentit turk, Rexhep Erdogan, për uljen e shkallës së interesit dhe masat e tjera stimuluese pavarësisht nga rritja e inflacionit dhe rënia e vlerës së lirës.

Thesari i Turqisë nuk ishte menjëherë i qasshëm për koment. Zyrtarët në Katar nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesës për koment.

Kur shtetet perëndimore po ngurrojnë që të investojnë në Turqi, Ankaraja është kthyer nga vendet “mike” për burime të huaja për ta mbështetur politikën e saj për përkrahjen e lirës duke i baraspeshuar furnizimin dhe kërkesën e ekonomisë për shkëmbimin e valutave të huaja.

Banka Qendrore e Turqisë tashmë ka në fuqi një marrëveshje me Bankën Qendrore të Katarit, vlera fillestare e së cilës ishte 5 miliardë dollarë, por më 2020 u trefishua dhe u bë 15 miliardë dollarë.

Burimet folën në kushte anonimiteti, sepse nuk ishin të autorizuara për të diskutuar për këto fonde.

“Bisedimet që Katari t’i ofrojë Turqisë burime të reja, e kanë arritur fazën përfundimtare. Është parashikuar një shifër minimale prej 8 miliardë dollarësh”, por mund të shkojë në totalin prej 10 miliardësh, tha një zyrtar.

“Burime do të sigurohen, 2 deri në 3 miliardë dollarë deri në fundin e këtij viti, pjesa tjetër do të vijë vitin e ardhshëm. Ky mund të jetë shkëmbim ose obligacion, por ata po diskutojnë disa metoda. Ekziston një marrëveshje reciproke”- shtoi zyrtari.

Një zyrtar tjetër turk tha se bisedimet për fonde prej 2 deri në 3 miliardë dollarësh për këtë vit janë të përqendruara në obligacione.

Katari ka lidhje të forta me Turqinë, e cila e kishte përkrahur, kur Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe dy shtete të tjera arabe i kishin vendosur embargo Katarit më 2017 për shkak të një mosmarrëveshjeje që qe zgjidhur në pjesën e parë të vitit 2021.

Turqia gjithashtu është në fazën përfundimtare të bisedimeve me Arabinë Saudite që Riadi të vendosë një depozitë prej 5 miliardë dollarësh në Bankën Qendrore të Turqisë, tha të martën një zëdhënës i Ministrisë së Financave të Arabisë Saudite. Banka Qendrore e Turqisë ka refuzuar që ta komentojë këtë çështje.

Lajme të ngjashme