Inflacioni në Turqi e thyen rekordin 24-vjeçar pas vendimit të kërkuar nga Erdogani - NACIONALE

Inflacioni në Turqi e thyen rekordin 24-vjeçar pas vendimit të kërkuar nga Erdogani

1 vit më parë

nga NACIONALE

Inflacioni vjetor në Turqi arriti në nivelin më të lartë në 24 vitet e fundit në tetor, duke shkuar në 85.51 për qind, sipas të dhënave zyrtare të enjten, pasi Banka Qendrore e Turqisë e uli shkallën e interesit pavarësisht nga rritja e çmimeve.

Inflacioni në Turqi është rritur që nga nëntori i vitit të kaluar, kur vlera e lirës ra, pasi Banka Qendrore e Turqisë e filloi politikën e uljes së shkallës së interesit, veprim i kërkuar për një kohë të gjatë nga presidenti Rexhep Erdogan.

Në tre muajt e fundit, Banka Qendrore e ka ulur shkallën e interesit për gjithsej 350 pikë bazë dhe tash niveli është 10.5 për qind. Ky institucion ka premtuar për një ulje tjetër muajin e ardhshëm, raporton agjencia “Reuters”.

Presidenti turk, i cili ka ndikim të madh në vendimet e kësaj banke, ka bërë thirrje për shkallë njëshifrore të interesit deri në fundin e vitit.

Në bazë mujore, çmimet e konsumit në Turqi u rritën për 3.54 për qind, sipas Institutit Turk të Statistikave. Në nivel vjetor, inflacioni i çmimeve të konsumit ishte parashikuar të ishte 85.60 për qind, ndërsa zyrtarisht doli të jetë pothuajse i njëjtë – 85.51 për qind.

Inflacioni vjetor në tetor është më i larti që nga qershori i vitit 1998, kur Turqia po punonte për t’i dhënë fund një dekade të inflacionit të lartë.

Transporti, ku përfshihen çmimet e derivateve, prin në rritje me 117.15 për qind, i pasuar nga çmimet e ushqimit me 99.05 për qind. Në vendin e tretë janë mobiliet dhe pajisjet e amvisërisë me 93.63 për qind shtrenjtim.

Sipas parashikimit të anketës së agjencisë “Reuters”, inflacioni mesatar në fund të vitit në Turqi do të jetë 70.25 për qind, ndërsa Banka Qendrore e Turqisë e rriti parashikimin e saj në 65.20 për qind. Ky është rishikimi i katërt i bankës me rritje të shifrave këtë vit për përqindjen e inflacionit mesatar vjetor.

Lajme të ngjashme