Pse e ndryshoi emrin Turqia?
Turqia nuk do që të krahasohet më me gjeldetin, që në Amerikën Veriore më së miri njihet si simbol i Ditës së Falënderimeve.
Të enjten, Kombet e Bashkuara e njohën emrin e ri të Turqisë, Turkiye. Sipas ministrit të Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlut Cavusoglu, ky veprim do ta rrisë vlerën e brendit të vendit të tij.
Sidoqoftë, Sinan Ulgen, drejtor i organizatës me qendër në Stamboll, EDAM, përmend disa arsye të tjera. “Arsyeja kryesore pse Turqia po e ndryshon emrin e vet është që ta eliminojë krahasimin me gjeldetin, por, gjithashtu, ky term përdoret në gjuhën bisedore për t’iu referuar dështimit”, tha ai.
Në gjuhën angleze, fjala “Turkey” e ka edhe kuptimin “gjeldeti”. Gjuha angleze është gjuhë zyrtare e shumicës së organizatave më të rëndësishme ndërkombëtare.
Për presidentin Rexhep Erdogan, që do të garojë përsëri në zgjedhjet e vitit të ardhshëm, emri i ri i paraqet “kulturën, civilizimin dhe vlerat e kombit turk në mënyrën më të mirë”.
Tash, organizatat ndërkombëtare janë të detyruara që ta përdorin emrin e ri, por kjo nuk do të ndodhë brenda natës për publikun e gjerë, tha turku Ulgen për televizionin “CNN”. “Me gjasë, do të nevojiten shumë vjet për publikun më të gjerë ndërkombëtar për ta ndryshuar nga “Turkey” në “Turkiye”, tha ai.
Kjo nuk është hera e parë që Turqia është përpjekur ta ndryshojë emrin e vet, tha ai. Një përpjekje e ngjashme ishte bërë edhe në vitet e tetëdhjeta, kur kryeministër ishte Turgut Ozal, por nisma nuk kishte marrë aq shumë hov, shtoi Sinan Ulgen-i.
Mund të ketë motive politike prapa këtij vendimi, sepse turqit do të votojnë në zgjedhje në qershorin e vitit të ardhshëm, kur vendi tashmë është përfshirë nga kriza e rëndë ekonomike.
“Kjo është një strategji tjetër e përdorur nga qeveria turke për t’iu afruar votuesve nacionalistë në një vit jetik për politikën turke”, tha Francesco Siccardi, menaxher i lartë i programeve në organizatën “Carnegie Europe”.
Koha e ndryshimit të emrit është jetike për zgjedhjet e vitit të ardhshëm, tha ai. “Vendimi për ndryshimin e emrit u publikua në dhjetorin e kaluar, kur presidenti Erdogan nuk qëndronte mirë në asnjërën anketë dhe kur Turqia po ballafaqohej me njërën nga krizat më të këqija ekonomike në 20 vitet e fundit”, shtoi Siccardi.
Pozita e Erdoganit në anketa ka rënë me masë të konsiderueshme gjatë viteve. Sipas sondazheve të fundit të vitit të kaluar, përkrahja për partinë e tij ishte rreth 31 - 33 për qind, sipas agjencisë “Reuters”, shumë më pak se shifra prej 42.6 për qind gjatë zgjedhjeve parlamentare të vitit 2018.
Analistët thonë se në kohë krizash, presidenti priret që të zgjedhë veprime populiste për ta larguar vëmendjen nga problemet në vend. Trazira ekonomike, që tashmë i ka nxjerrë njerëzit në rrugë, ka qenë dhimbje koke për qeverinë.
“Emri i ri do t’ia pengojë vëmendjen audiencës së brendshme nga problemet më konkrete dhe më urgjente dhe do t’i ofrojë një tjetër argument presidentit Erdogan për synimin e tij për një Turqi më të fuqishme dhe më tradicionale”, tha Siccardi./Nacionale