Turqia edhe një kusht Finlandës për NATO: Hiqeni embargon e armëve - NACIONALE

Turqia edhe një kusht Finlandës për NATO: Hiqeni embargon e armëve

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Cavusoglu, tha të martën se Finlanda duhet ta largojë embargon e armëve ndaj Ankarasë si kusht për ta siguruar përkrahjen e vendit të tij për anëtarësimin e Helsinkit në NATO.

Finlanda dhe Suedia këtë vit kanë aplikuar për anëtarësim në aleancën më të fuqishme ushtarake në botë, pas fillimit të pushtimit rus të Ukrainës. Sidoqoftë, anëtarja e vjetër e NATO-s, Turqia, ka refuzuar që ta përkrahë pranimin e këtyre dy shteteve në aleancë pa ia plotësuar disa kushte, përfshirë marrjen e një pozicioni më të ashpër ndaj militantëve kurdë dhe largimin e embargos së armëve.

Përderisa Suedia ia largoi Turqisë embargon ndaj armëve në shtator – të vendosur fillimisht nga këto dy shtete më 2019 si reagim ndaj sulmit të Turqisë ndaj militantëve kurdë të Sirisë, YPGFinlanda nuk e ka larguar ende këtë masë, raporton agjencia “Reuters”, përcjell Nacionale.

“Është e rëndësishme që ministri i Mbrojtjes i Finlandës do të vijë në Turqi, sepse ende nuk ka pasur deklaratë nga Finlanda që ata e kanë larguar embargon e armëve kundër nesh. Ne presim një deklaratë të tillë nga ta”- tha kryediplomati turk.

Turqia i ka akuzuar dy shtetet e Evropës Veriore, veçanërisht Suedinë, për strehimin e disa personave që i Ankaraja i cilëson si terroristë, përfshirë anëtarët e Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit dhe grupin e akuzuar për organizimin e puçit të dështuar më 2016.

Ankaraja ia ka kërkuar Stokholmit ekstradimin e një numri të këtyre personave. Turqia tha se ekstradimi i një burri kurd nga Suedia në fundjavë është një fillim i mirë, por paralajmëroi se duhet bërë më shumë.

Cavusoglu tha të martën se burri i ekstraduar nuk ishte në mesin e atyre që Ankaraja i ka kërkuar nga Stokholmi dhe se personat që ndodhen në listë, duhet të ekstradohen e pasuritë e tyre të konfiskohen.

Stokholmi e Helsinki e kanë mohuar akuzën për strehimin e militantëve, por janë zotuar për të bashkëpunuar me Ankaranë që t’i adresojnë plotësisht shqetësimet e saj për sigurinë dhe gjithashtu për ta tërhequr embargon e armëve ndaj saj.

NATO-ja merr vendime me pajtueshmëri të plotë, që do të thotë se Suedia dhe Finlanda duhet ta marrin miratimin e 30 shteteve të aleancës për t’u bërë pjesë e saj. Vetëm Turqia ka dalë kundër anëtarësimit të tyre, ndonëse as Hungaria nuk e ka miratuar ende aplikimin e të dyja vendeve.

Lajme të ngjashme