Si e prishi Turqia momentin historik të NATO-s me Finlandën e Suedinë
Kur Finlanda dhe Suedia e bënë të ditur se po mendonin të merrnin vendimin historik për anëtarësimin në NATO, aleanca priste një përgjigje të ashpër nga Moska, por jo nga një anëtare e saj.
Megjithatë, Turqia ishte ajo që errësoi disponimin gjatë një mbledhjeje të ministrave të Jashtëm të NATO-s me homologët e tyre finlandezë dhe suedez për të festuar ndryshimin më të madh në sigurinë evropiane në dekada.
Një diplomat i NATO-s tha për Reuters se në këtë takim të mbajtur në Berlin, ministri i Jashtëm turk Mevlut Cavusoglu ishte "në gjendje krize". E vetëm një ditë më parë presidenti i Turqisë, Tayyip Erdogan, kishte tronditur anëtarët e NATO-s duke thënë se ai nuk do të mbështeste anëtarësimin as për Finlandën, as për Suedinë.
Raportohet se Cavusoglu jo vetëm që kishte vendosur kushte që Turqia të pranonte ofertat e anëtarësimit, por edhe kishte ngritur zërin ndaj ministres Ann Linde të Suedisë në atë që tre diplomatë të NATO-s thanë se ishte një thyerje "e turpshme" e protokollit.
"Për ne ishte një moment historik dhe megjithatë Cavusoglu tha se ishte i irrituar nga 'politika feministe' e Linde, duke sjellë kaq shumë dramë," tha një tjetër diplomat i NATO-s, duke e përshkruar atmosferën në Berlin si shumë të tensionuar, në të cilën shumë aleatë kishin zgjedhur të heshtin në mënyrë që të qetësonin situatën.
"Ne po përpiqeshim të kuptonim se çfarë dëshironte kolegu ynë turk - e dini, se çfarë donte me të vërtetë," shtoi diplomati, i cili si të tjerët foli në kushte anonimiteti për shkak të ndjeshmërisë së çështjes. "Ishte e turpshme," tha ai.
Kërkesat kryesore të Ankarasë janë që vendet nordike të ndalojnë mbështetjen për grupet militante kurde të pranishme në territorin e tyre dhe të heqin ndalimet e tyre për disa shitje armësh në Turqi.
Një burim diplomatik turk tha se Cavusoglu e kishte përshkruar qëndrimin e Turqisë me respekt, duke hedhur poshtë atë që ai tha se ishte një pretendim nga Linde se kundërshtimi i tij ishte për shkak të politikës së jashtme feministe të Suedisë.
"Komentet e saj nuk po ndihmojnë ofertën e Suedisë në NATO, ndërsa deklaratat që vijnë nga Finlanda janë të përpunuara me kujdes," tha burimi.
Rusia, e cila thotë se kërcënimi i paraqitur nga zgjerimi i NATO-s ishte një arsye kryesore për dërgimin e trupave në Ukrainë, në këtë rast e ka treguar gjakftohtësinë.
Ndërsa zëvendësministri i Jashtëm rus Sergei Ryabkov tha se anëtarësimi i Finlandës dhe Suedisë ishte një "gabim i rëndë" me "pasoja të gjera", por presidenti Vladimir Putin tha më 16 maj, se përpjekjet e tyre për t'u bashkuar me NATO-n nuk përbënin kërcënim të drejtpërdrejtë për Rusinë.
Krijimi i kontaktit
Gjendja e hidhur në takimin e së shtunës ishte edhe më befasuese sepse diplomatët e NATO-s i kishin thënë Reuters në fillim të majit se të 30 aleatët mbështetën pranimin e Finlandës dhe Suedisë në aleancë për shkak të përfitimeve të sigurisë që do të sillte.
Aleatët e NATO-s donin të vulosnin pranimin e tyre në një kohë rekord si një mënyrë për të forcuar përgjigjen e tyre ndaj Rusisë, megjithatë të hënën, Erdogan tha se delegacionet suedeze dhe finlandeze nuk duhet të shkojnë në Ankara siç ishte planifikuar.
Ndërsa, të mërkurën, presidenca turke tha se një këshilltar kyç i Erdoganit kishte folur me homologët e tij nga Suedia, Finlanda, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara, duke thënë se procesi i anëtarësimit në NATO ishte i mundur vetëm nëse do të përmbusheshin pritshmëritë e Turqisë.
Një person i afërt me situatën dha një vlerësim më optimist, duke thënë se biseda me Suedinë ishte pozitive dhe ka hapur derën për vizitat e delegacionit javën e ardhshme. Megjithatë, ai tha se kjo u realizua pas pesë ditësh përpjekjesh nga vendet nordike për të arritur në zyrën e Erdoganit.
"E gjithë kjo po turbullon ujërat, por nuk po pengon planin e përgjithshëm të anëtarësimit," tha ai në kushte anonimiteti.
Ankaraja thotë se ndalimi i armëve - i miratuar nga vendet nordike në përgjigje të inkursionit ushtarak të Turqisë në 2019 në Sirinë veriore kundër militantëve kurdë - është i papërshtatshëm për anëtarët e mundshëm të një pakti sigurie.
Ndërsa, transmetuesi shtetëror turk TRT tha se Suedia dhe Finlanda nuk e kishin miratuar kërkesën e Turqisë për riatdhesimin e 33 personave me lidhje të dyshuara me grupet që ajo i sheh si terroristë.
Ndërkohë, kryetari i Komitetit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Suedez, Kenneth Forslund, tha se mund të gjendet një zgjidhje, por diku tjetër.
"Që Suedia do të fillojë të dëbojë njerëz që nuk konsiderohen terroristë sipas listave të terrorit që BE ka, kjo është krejtësisht e paimagjinueshme," tha ai.
Biznes i papërfunduar
Një aleate e paparashikueshme por strategjike e NATO-s, Turqia nën Erdoganin ka ndjekur një politikë të jashtme të pavarur, por mbetet një kontribues i madh në misionet e NATO-s.
Ndërsa, tensioni ka mjegulluar lidhjet midis Uashingtonit dhe Ankarasë, tani që dukej se ishin përmirësuar pas pesë vitesh mosmarrëveshjesh për Sirinë, lidhjet e ngushta të Turqisë me Moskën dhe kufizimin e të drejtave dhe lirive në vend.
Të mërkrën vonë, Cavusoglu u takua në Nju Jork me Sekretarin e Shtetit të ShBA-së Antony Blinken.
Cavusoglu u ishte drejtuar anëtarëve të komunitetit turko-amerikan me fjalët se:"Ne po shohim përsëri erërat e Luftës së Ftohtë."
Burimi i afërt me procesin tha se Cavusoglu po mban një qëndrim të ashpër publikisht, të shtyrë nga Erdogan, por se ekziston rreziku që aleatët e huaj mund ta izolojnë Turqinë nëse shkon shumë larg.
Në vend të tij, Erdogan përballet me zgjedhje të shtrënguara në mesin e vitit 2023 dhe goditjet e tij në Evropë luajnë me ndjenjën e brendshme nacionaliste.
Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara janë ende të sigurta se mund të gjendet një zgjidhje. Blinken tha në një konferencë shtypi të dielën se po vazhdonin bisedimet mbi këtë çështje.
“Kur është fjala për procesin e anëtarësimit, kam shumë besim se do të arrijmë konsensus”, tha ai.