Trupat ukrainase kundër koncesioneve territoriale, pak besim në armëpushim të shpejtë - NACIONALE

Trupat ukrainase kundër koncesioneve territoriale, pak besim në armëpushim të shpejtë

1 vit më parë

nga Nasuf Abdyli

Ushtarët ukrainas që po përgatiten për betejë thonë se kanë pak besim në mundësinë për një armëpushim të shpejtë dhe shumë prej tyre i kundërshtojnë sugjerimet se Ukraina duhet t’i dorëzojë Rusisë territore për të cilat ka luftuar fort.

Agjencia e lajmeve “Reuters” intervistoi trupa në dy baza trajnimi në rajonin verilindor të Kharkivit këtë javë, disa ditë pas një takimi të planifikuar mes presidentëve të ShBA-së e Rusisë, Donald Trump e Vladimir Putin.

Ukraina ka frikë se dy udhëheqësit mund ta përdorin samitin e tyre të premten për t’i diktuar kushtet e paqes dhe se do ta detyrojnë Kievin që të heqë dorë nga territori, ide që është kundërshtuar nga presidenti Volodymyr Zelensky.

“T’ia japim kujt? Ta japim [territorin] për çfarë” – pyeti komandanti i një baze trajnimesh në Brigadën e 58-të të Motorizuar, nofka e të cilit është “Kuzhinieri”.

Sipas një sondazhi të kompanisë “Gallup” javën e kaluar, 69 për qind e ukrainasve përkrahin një përfundim të negociuar të luftës sa më shpejt që është e mundshme. Megjithatë, një përqindje e ngjashme beson se luftimet nuk do të përfundojnë shpejt.

“Secila rrugë drejt paqes ndërtohet përmes bisedimeve” – tha një ushtar tjetër i Brigadës së 58-të, me nofkën “Kampioni”, i ulur brenda një automjeti të blinduar.

“Por unë s’mund të them se nesër do të ketë paqe thjesht ashtu... sepse armiku vazhdon që të shfaqet” – shtoi ai.

Edhe ushtarë të tjerë ukrainas që po trajnoheshin në rajonin e Kharkivit thanë se do ta mirëprisnin armëpushimin, por shtuan se do të duhej që Rusia të detyrohej për të bërë paqe.

“Derisa Rusia të pësojë humbje mjaftueshëm të mëdha që të heqë dorë nga ideja e presionit ushtarak ndaj nesh, [luftimet] do të vazhdojnë” – tha një instruktor nga Brigada e 43-të e Mekanizuar, me nofkën “Kërmilli”. “Ne nuk do të jemi në gjendje që ta ndalim këtë ndryshe” – paralajmëroi ai.

Të martën u raportua se forcat ruse kanë bërë një depërtim të befasishëm në pjesën lindore të Ukrainës në përpjekje për të thyer një vijë kyçe të mbrojtjes, me gjasë me qëllimin që t’i shtohet presioni Kievit që të dorëzojë territor./Nacionale

Lajme të ngjashme