Trumpi thotë se tash beson më pak në një marrëveshje bërthamore me Iranin
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë se ka më pak besim se Irani do të pajtohet për ta ndërprerë pasurimin e uraniumit në një marrëveshje bërthamore me vendin e tij, sipas një interviste të publikuar të mërkurën.
“Nuk e di” – tha Trumpi në podcasting “Pod Force One” të hënën, kur u pyet nëse mendon se mund ta bindë Iranin për t’u pajtuar që ta mbyllë programin e vet bërthamor. “Nuk e di. Nuk mendoj dhe po bëhet gjithnjë me më pak besim për këtë” – shtoi ai, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Trumpi ka qenë duke kërkuar një marrëveshje të re bërthamore për t’u vendosur kufizime aktiviteteve bërthamore të Iranit dhe e ka kërcënuar Teheranin me bombardime, nëse nuk arrihet një pakt për këtë çështje.
Ai iu tha gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë të hënën se kishte diskutuar po atë ditë për Iranin me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe tha se bisedimet me iranianët ishin “të vështira”.
Në intervistën në podcast, Trumpi tha se iranianët duket se janë duke përdorur taktika për vonesa.
“Unë kam më pak besim tani sesa që kisha para disa muajve. Diçka u ndodhi atyre, por unë kam shumë më pak besim se po bëhet një marrëveshje” – tha kreu i Shtëpisë së Bardhë.
Trumpi e përsëriti qëndrimin se Shtetet e Bashkuara nuk do të lejojnë që Irani të ketë armë bërthamore, pavarësisht se a arrihet marrëveshje apo jo.
“Por do të ishte më bukur që kjo të bëhet pa luftime, pa njerëz që vdesin, është shumë më bukur që të bëhet kështu, por nuk mendoj se e shoh nivelin e njëjtë të entuziazmit nga ta që të bëhet një marrëveshje” – shtoi presidenti amerikan.
Irani thotë se nuk ka plane për të prodhuar armë bërthamore dhe është i interesuar vetëm në prodhim të energjisë dhe në projekte të tjera paqësore./Nacionale