Trumpi thotë se do t’ia dyfishojë taksat metaleve të Kanadasë në 50 për qind
Presidenti amerikan, Donald Trump, të martën tha se do ta dyfishojë nivelin e taksave ndaj të gjitha produkteve të çelikut dhe aluminit që hyjnë në ShBA nga Kanadaja, duke e çuar në 50 për qind, si kundërpërgjigje ndaj provincës kanadeze Ontario, e cila ka vendosur 25 për qind taksë ndaj energjisë që futet në ShBA.
Përmes një shkrimi në rrjete sociale, kreu i Shtëpisë së Bardhë tha se e ka udhëzuar sekretarin e Tregtisë që të shtojë një taksë shtesë prej 25 për qind, e cila do të hyjë në fuqi të mërkurën në mëngjes, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Gjithashtu, Kanadaja duhet që menjëherë ta heqë taksën kundër bujkut amerikan prej 250 deri në 390 për qind ndaj produkteve të ndryshme amerikane të bulmetit, e cila për një kohë të gjatë është cilësuar mizore. Unë brenda një kohe të shkurtër do të shpallë emergjencë kombëtare të energjisë brenda zonës së rrezikuar” – shkroi presidenti amerikan.
Ai gjithashtu kërcënoi se do t’i “rrisë në mënyrë substanciale” taksat ndaj veturave që hyjnë në Shtetet e bashkuara më 2 prill, “nëse taksa të tjera skandaloze e të një kohe të gjatë nuk hiqen nga Kanadaja”.