Trumpi thotë se do marrëveshje me Iranin, mohon se do të kryejë sulm me Izraelin
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i ka mohuar raportimet se ShBA-ja dhe Izraeli do të kryejnë një sulm ushtarak kundër Iranit, duke thënë se ai do të donte të bënte një marrëveshje me Teheranin.
“Unë dua që Irani të jetë një shtet i mrekullueshëm e i suksesshëm, por i tillë që nuk mund të ketë një armë bërthamore. Raportet se Shtetet e Bashkuara, duke punuar bashkë me Izraelin, do ta bëjnë thërrmija Iranin, janë shumë të ekzagjeruara” – shkroi presidenti amerikan në rrjetin “Truth Social”. Është e paqartë se cilave raporte iu referua ai, shkruan gazeta “The Times of Israel”.
“Unë do të parapëlqeja shumë një marrëveshje bërthamore të vërtetuar të paqes, e cila do ta lejojë Iranin të rritet e të prosperojë paqësisht. Ne duhet të fillojmë që të punojmë në të menjëherë dhe të kemi një festë të madhe të Lindjes së Mesme, kur ajo të nënshkruhet dhe të kompletohet. Zoti e bekoftë Lindjen e Mesme!”, shkroi më tej kreu i Shtëpisë së Bardhë.
Të martën, presidenti amerikan e ktheu fushatën për “presion maksimal” ndaj Iranit, ku përfshihen përpjekje për t’ia bllokuar eksportet e naftës për t’ia pamundësuar Iranit prodhimin e një arme bërthamore.
Ky vendim e rikthen politikën e ashpër të ShBA-së ndaj Iranit, të cilën e kishte zbatuar Trumpi gjatë mandatit të tij të parë në krye të Shtëpisë së Bardhë./Nacionale