Trumpi me “paralajmërimin e fundit” për Hamasin: Asnjëri nga ju s’do të jetë i sigurt, nëse s’bëni si them
Presidenti amerikan, Donald Trump, e ka lëshuar atë që e ka quajtur “paralajmërim të fundit” ndaj grupit palestinez të Hamasit për t’i liruar pengjet që po mbahen ende në Gaza.
“Unë do t’i dërgoj Izraelit gjithçka që i nevojitet për ta kryer punën, asnjë anëtar i Hamasit nuk do të jetë i sigurt, nëse nuk bëni ashtu si them unë” – shkroi kreu i Shtëpisë së Bardhë në një postim të gjatë në rrjetin “Truth Social”, raporton televizioni BBC.
Paralajmërimi i tij erdhi vetëm disa orë pasi Shtëpia e Bardhë konfirmoi se është duke zhvilluar bisedime të drejtpërdrejta me Hamasin rreth pengjeve.
Në shkrimin e tij, Trumpi tha se do të ketë “ferr për t’u paguar”, nëse pengjet nuk lirohen, ndërkohë nuk e saktësoi llojin e përkrahjes që do t’ia dërgojë Izraelit.
“Lirojini të gjitha pengjet tani, jo më vonë, dhe menjëherë kthejini të gjithë trupat e të vdekurve që ju i vratë, ose MBAROI për ju” – shtoi amerikani.
“Për udhëheqësinë, tani është koha që të largoheni nga Gaza, përderisa keni ende një mundësi” – paralajmëroi më tej Trumpi, përcjell gazeta "Nacionale".
Ai u duk sikur i kërcënoi edhe civilët, duke shkruar: “Gjithashtu, popullit të Gazës: një e ardhme e bukur ju pret, por jo nëse ju i mbani pengjet. Nëse e bëni këtë, ju jeni TË VDEKUR!”
Kjo nuk është hera e parë që Trumpi e kërcënon Hamasin. Në dhjetor, ai tha se do të ishte “tërë ferri për t’u paguar”, nëse pengjet nuk do të liroheshin deri në kohën kur ai do ta merrte pushtetin në ShBA.
Shkrimi i tij u publikua pas takimit me një grup pengjesh në Shtëpinë e Bardhë që ishin liruar rishtazi si pjesë e armëpushimit mes Izraelit e Hamasit.
Ndërkohë, sekretarja për shtyp e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, konfirmoi se Shtetet e Bashkuara kanë qenë duke biseduar drejtpërdrejt me Hamasin në përpjekje për ta siguruar lirimin e pengjeve. Ajo shtoi se Izraeli është konsultuar paraprakisht.
Një burim palestinez i tha televizionit BBC se “dy takime të drejtpërdrejta” janë zhvilluar mes Hamasit e një zyrtari amerikan, “të paraprira nga disa komunikime”.
Izraeli thotë se janë ende edhe 59 pengje që po mbahen në Gaza, ndërsa 24 besohet se janë gjallë. Në mesin e pengjeve ka edhe shtetas amerikanë./Nacionale