Trumpi i thotë Zelenskyt se ShBA-ja do ta ndihmonte garantimin e sigurisë së Ukrainës në paktin e paqes
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i tha të hënën homologut ukrainas, Volodymyr Zelensky, se ShBA-ja do ta ndihmonte garantimin e sigurisë së Ukrainës në cilëndo marrëveshje për t’i dhënë fund luftës së Rusisë atje, edhe pse niveli i asistencës që do të ofrohej nuk ishte menjëherë i qartë.
Trumpi e bëri këtë zotim në një samit të jashtëzakonshëm në Shtëpinë e Bardhë, ku priti Zelenskyn dhe një grup të aleatëve evropianë pas takimit të tij të martën në Alaskë me presidentin rus, Vladimir Putin, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Kur bëhet fjalë për sigurinë, do të ketë shumë ndihmë” – tha presidenti amerikan para gazetarëve, duke shtuar se do të përfshihen edhe shtetet evropiane. “Ato janë vija e parë e mbrojtjes, sepse ato janë atje, por ne do t’i ndihmojmë” – premtoi ai.
Zelensky e vlerësoi lart premtimin e homologut amerikan, duke e quajtur “hap të madh përpara” dhe duke shtuar se garancitë e sigurisë do të “formalizohen në letër brenda një jave deri në 10 ditë”. Sipas presidentit ukrainas, Ukraina ka bërë ofertë që të blejë armë amerikane në vlerë të rreth 90 miliardë dollarëve.
Toni i bisedimeve ishte shumë më i ngrohtë se në takimin e shkurtit në Zyrën Ovale, kur Trumpi dhe zëvendësi i tij e kishin kritikuar publikisht para kamerave presidentin ukrainas. Megjithatë, një marrëveshje e paqes nuk u duk e menjëhershme.
Pak para fillimit të bisedimeve, Ministria e Jashtme e Rusisë e përjashtoi dislokimin e trupave të vendeve të NATO-s për ta siguruar marrëveshjen e paqes, duke i shtuar ndërlikime ofertës së Trumpit.
Edhe Trumpi, edhe Zelensky thanë se shpresojnë që takimi i së hënës në fund do të çonte në bisedime trepalëshe me Putinin, forcat e të cilit kanë qenë duke avancuar ngadalë në pjesën lindore të Ukrainës.
Në një shkrim të publikuar të hënën vonë në rrjete sociale, Trumpi tha se e kishte telefonuar presidentin rus dhe e kishte filluar organizimin e një takimi mes Putinit dhe Zelenskyt, i cili do të pasohej nga një samit trepalësh mes tre presidentëve.
Trumpi iu tha udhëheqësve evropianë se Putini e kishte sugjeruar këtë formë të takimeve, sipas një burimi në delegacionin evropian.
Përderisa Kremlini nuk e ka njoftuar publikisht marrëveshjen, një zyrtar i lartë i administratës amerikane tha se takimi mes Putinit e Zelenskyt mund të zhvillohet në Hungari. Dy presidentët do të takohen brenda dy javëve të ardhshme, sipas kancelarit gjerman, Friedrich Merz.
Bisedimet e fundit të drejtpërdrejta mes Rusisë dhe Ukrainës u zhvilluan në Turqi në qershor. Putini e kishte refuzuar ftesën e Zelenskyt për t’u takuar sy me sy dhe, në vend të kësaj, në Turqi dërgoi një delegacion të nivelit të ulët./Nacionale