Trumpi e përmend “marrjen miqësore” të Kubës nën kontroll - NACIONALE

Trumpi e përmend “marrjen miqësore” të Kubës nën kontroll

4 muaj më parë

nga Nasuf Abdyli

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, të premten e ngriti mundësinë për një “marrje miqësore” të Kubës, duke u thënë gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë se sekretari i Shtetit, Marco Rubio, po merret me këtë çështje “në një nivel shumë të lartë”.

“Qeveria kubane po flet me ne dhe ata janë në telash të madh. Nuk kanë para. Nuk kanë asgjë tani për tani, por po bisedojnë me ne dhe ne ndoshta do të kemi një marrje miqësore të Kubës” – tha kreu i Shtëpisë së Bardhë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Trumpi e përshkroi Kubën si një komb në dështim e sipër që ka nevojë për ndryshim, duke shtuar se ai ka dëgjuar për vështirësitë e këtij shteti që nga koha kur ishte djalë i vogël.

“Mund ta shoh atë duke ndodhur. Marco Rubio po merret me këtë në një nivel shumë të lartë. Ata nuk kanë para, nuk kanë naftë, nuk kanë ushqim. Vërtet tash për tash është një komb në telashe të thella dhe e duan ndihmën tonë” – shtoi Trumpi.

Qeveria e Kubës ka thënë se nuk është në bisedime të nivelit të lartë me Shtetet e Bashkuara, por nuk i ka mohuar prerazi raportimet e shtypit se disa zyrtarë amerikanë mund të jenë në diskutime joformale me Raul Guillermo Rodriguez Castro-n, nip i ish-presidentit kuban, Raul Castro.

Mediumi amerikan “Axios” raportoi këtë muaj se Rubio ka zhvilluar bisedime sekrete me nipin e ish-udhëheqësit kuban. Zyrtarë amerikanë të afërt me Rubion u takuan përsëri me nipin e Castro-s në margjinat e konferencës së Komunitetit të Karaibeve, raportoi të enjten gazeta “Miami Herald”.

Tensionet me Kubën u rritën, pasi forcat kubane këtë javë vranë katër persona dhe plagosën gjashtë të tjerë që kishin hyrë në ujërat kubane me një barkë të shpejtë të regjistruar në Floridë dhe kishin hapur zjarr në drejtim të një patrulle kubane. Rubio ka mohuar se ky ishte një operacion amerikan dhe ka thënë se asnjë pjesëtar i personelit qeveritar të ShBA-së nuk ishte i përfshirë.

Incidenti ndodhi në kohën kur Shtetet e Bashkuara i kanë bllokuar pothuajse të gjitha dërgesat e naftës në shtetin ishullor, duke ia shtuar trysninë qeverisë komuniste. Muajin e kaluar, forcat amerikane e kapën presidentin venezuelas, Nicolas Maduro, duke larguar nga pushteti një aleat kyç të Kubës./Nacionale

Lajme të ngjashme