Trumpi do ta nënshkruajë urdhrin për mbylljen e Departamentit të Arsimit, thotë Shtëpia e Bardhë - NACIONALE

Trumpi do ta nënshkruajë urdhrin për mbylljen e Departamentit të Arsimit, thotë Shtëpia e Bardhë

1 muaj më parë

nga Nasuf Abdyli

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, do të nënshkruajë të enjten një urdhër ekzekutiv të pritur gjatë me të cilin synohet mbyllja e Departamentit të Arsimit, duke përmbushur një premtim kyç të fushatës, sipas një përmbledhjeje të Shtëpisë së Bardhë që e ka parë agjencia e lajmeve “Reuters”.

Edhe para se të nënshkruhet, ky urdhër ishte duke u sfiduar nga një grup i prokurorëve shtetërorë në shtetet amerikane që udhëhiqen nga demokratët, të cilët kanë paraqitur padi me synimin për ta bllokuar mbylljen e këtij departamenti nga Trumpi dhe ndërprerjen e përjashtimeve nga puna të gati gjysmës së stafit, që u njoftuan javën e kaluar.

Trumpi dhe këshilltari i tij miliarder, Elon Musk, kanë bërë përpjekje që të mbyllin programe dhe institucione qeveritare si Agjencia për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) pa miratimin nga Kongresi, por zhbërja e Departamentit të Arsimit do të ishte përpjekja e parë e presidentit për të mbyllur një agjenci të nivelit të kabinetit.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë nuk mund ta mbyllë Departamentin e Arsimit pa legjislacion nga Kongresi, hap që mund të jetë i vështirë. Republikanët e Trumpit kanë shumicë ulësesh 53 me 47 në Senat, por për miratim të legjislacioneve të rëndësishme si mbyllja e një agjencie të nivelit të kabinetit do të nevojiteshin 60 vota, pra edhe mbështetja e shtatë demokratëve.

Demokratët e Senatit nuk kanë dhënë ndonjë shenjë se do ta përkrahin mbylljen e Departamentit të Arsimit, raporton agjencia "Reuters".

Në urdhrin ekzekutiv të presidentit, sekretarja e Arsimit, Linda McMahon, udhëzohet që “t’i ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm për ta lehtësuar mbylljen e Departamentit të Arsimit dhe për t’ua rikthyer autoritetin e arsimit Shteteve, ndërkohë duke vazhduar që të garantohet shpërndarja efikase dhe e papenguar e shërbimeve, programeve dhe përfitimeve në të cilat amerikanët mbështeten”.

Trumpi kishte propozuar që Departamenti i Arsimit të mbyllej edhe gjatë mandatit të tij të parë si president, por Kongresi nuk kishte vepruar në këtë drejtim.

Muajin e kaluar, presidenti amerikan tha se dëshironte që ky departament të mbyllej menjëherë, por pranoi se ndoshta do të kishte nevojë për përkrahje nga Kongresi dhe sindikatat e mësuesve për ta arritur këtë qëllim./Nacionale

Lajme të ngjashme