Trumpi del para Harrisit në sondazhin e ri të gazetës “The Wall Street Journal”
Kandidati republikan për president të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka siguruar një epërsi të ngushtë në garën kundër demokrates Kamala Harris, pasi votuesit kanë ndërtuar pikëpamje më pozitive për agjendën e tij dhe performancën në të kaluarën, ndërsa kanë ndërtuar qëndrim më negativ ndaj nënpresidentes, sipas një sondazhi të ri të gazetës së njohur amerikane, “The Wall Street Journal”.
Sipas sondazhit në nivel kombëtar, Trumpi mori 2 për qind më shumë mbështetje se rivalja e tij – 47 me 45 për qind – në krahasim me epërsinë e Harrisit prej 2 për qind në gusht, në anketën ku përfshihen kandidatët e pavarur dhe të palëve të treta. Epërsitë në të dyja rastet janë brenda margjinës së gabimit, që do të thotë se secili kandidat mund të jetë në epërsi, raporton e përditshmja e njohur amerikane.
Sondazhi sugjeron se një varg reklamash negative në fushatë dhe vetë performancën e kandidatëve kanë minuar disa përshtypje pozitive për Harrisin, të cilat votuesit i kishin formuar, pasi nënpresidentja e kishte zëvendësuar presidentin Joe Biden si kandidate e pritshme pastaj zyrtarisht si e nominuar e Partisë Demokratike.
Pikëpamjet për Harrisin janë bërë më negative nga gushti, kur dy grupe në mënyrë të barabartë e shihnin atë në mënyrë të favorshme dhe të pafavorshme. Tani, pikëpamjet e pafavorshme mbizotërojnë me 8 për qind epërsi – 53 me 45 për qind. Për më tepër, votuesit ia kanë dhënë Harrisit vlerësimin më të dobët për performancën si nënpresidente në tri herët kur gazeta WSJ i ka pyetur për këtë nga korriku. Vetëm 42 për qind janë të kënaqur me punën e saj, ndërsa 54 për qind jo.
Në anën tjetër, pikëpamjet për Trumpin janë bërë më pozitive. Votuesit e vlerësojnë mandatin e tij si president më pozitivisht se në çfarëdo pike të këtij cikli zgjedhor. 52 për qind ishin të kënaqur me punën e tij në Shtëpinë e Bardhë, ndërsa 48 për qind jo – epërsi pozitive prej 4 për qind, që është kontrast me epërsinë prej 12 për qind të pakënaqësisë me punën e zonjës Harris.
Për më tepër, votuesit i japin Trumpit epërsi solide në shumicën e rasteve, kur pyeten për agjendat dhe politikat e kandidatëve. Për 10 për qind, më shumë votues kanë qëndrim pozitiv se negative për planin ekonomik të Trumpit për vendin, ndërsa pikëpamjet negative kanë epërsi prej 4 për qind kundrejt atyre pozitive sa i përket planit ekonomik të Harrisit.
Sondazhi u krye në kohën kur drejtuesit e fushatave të dy kandidatëve kanë shpenzuar shumë në reklama për ta formësuar imazhin e dy rivalëve, sidomos atë të Harrisit, që është figurë dukshëm më e panjohur për votuesit.