Trump: Izraeli mund t’i rinisë luftimet në Gaza “porsa ta them fjalën”, nëse Hamasi s’e respekton paktin
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha të mërkurën se ai do ta shqyrtonte mundësinë që ta lejonte kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu, që t’i rinisë veprimet ushtarake në Gaza, nëse Hamasi refuzon që ta respektojë pjesën e vet të marrëveshjes së armëpushimit, duke i thënë televizionit CNN se forcat izraelite mund të rikthehen rrugëve të enklavës “porsa ta them unë fjalën”.
“Çfarë do të ndodhë me Hamasin – kjo do të zgjidhet shpejt” – tha kreu i Shtëpisë së Bardhë në një bisedë të shkurtër telefonike, raporton televizioni amerikan.
Sipas tij, tani për tani, Hamasi “do të hyjë dhe do t’i pastrojë bandat, bandat e dhunshme”.
“Unë do të bëj hulumtim për këtë” – tha Trumpi, kur u pyet nëse është e mundshme që Hamasi po ekzekutonte palestinezë të pafajshëm. “Do ta marrim vesh. Mund të jenë bandat plus” – shtoi ai.
Në pikën 6 të planit 20-pikësh të Trumpit për paqe thuhet se “porsa të kthehen të gjitha pengjet, anëtarëve të Hamasit që zotohen për bashkekzistencë paqësore dhe për dorëzimin e armëve të tyre, do t’u jepet amnisti. Anëtarëve të Hamasit që duan të largohen nga Gaza do t’u ofrohet kalim i sigurt në vendet pranuese.”
Çfarë ndodh nëse Hamasi refuzon që të çarmatoset, e pyeti televizioni CNN presidentin. “Do të mendoj për këtë. Izraeli do të kthehet në ato rrugë porsa ta them unë fjalën” – tha ai.
Sidoqoftë, ai u shpreh pozitivisht për perspektivën afatgjatë për paqe, sidomos duke e marrë parasysh mbështetjen e gjerë nga vendet e tjera të rajonit, transmeton gazeta "Nacionale".
“59 shtete janë pjesë e kësaj” – tha Trumpi duke iu referuar marrëveshjes së armëpushimit, mësa duket duke e pasur fjalën për vendet që morën pjesë në ceremoninë e nënshkrimit në Egjipt.
“Kurrë nuk kemi parë diçka si kjo. Tani e tëra po ndodh. Ata duan të jenë pjesë e Akordeve të Abrahamit, tash që Irani s’është problem” – shtoi presidenti amerikan.