Tri javë luftë: Shtohen viktimat, shpeshtohen sulmet - fundi askund në horizont
Në ditën e 22-të të luftës mes Izraelit e Hamasit, ushtria izraelite thotë se është duke i shtuar sulmet në Rripin e Gazës, edhe pse Asambleja e Përgjithshme e OKB-së të premten miratoi një rezolutë që bën thirrje për armëpushim të menjëhershëm humanitar. Më poshtë janë paraqitur zhvillimet kryesore të ditëve të fundit.
-Forcat e Mbrojtjes të Izraelit njoftuan se forcat tokësore dhe ajrore janë duke i shtuar operacionet në rripin e Gazës. Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Daniel Hagari, tha se në shënjestër të sulmeve ishin tunelet e Hamasit dhe i paralajmëroi banorët e qytetit Gaza që të vendoseshin në jug të enklavës, ku do të ketë “kushte më të mira”, sipas tij.
-Krahu ushtarak i Hamasit tha se ishte duke u ballafaquar me forcat izraelite në zonën e Beit Hanoun-it, në veri të Gazës, dhe në Burej, në qendër të saj – të dyja pika hyrëse që janë shfrytëzuar nga ushtria izraelite në konfliktet e kaluara, raporton gazeta "The Guardian".
-Rripi i Gazës u ballafaqua me bombardime jashtëzakonisht të rënda gjatë natës së kaluar. Pas rënies së errësirës, qielli në qytetin Gaza u ndriçua nga shpërthimet e zjarret. Disa organizata ndërkombëtare, përfshirë Organizatën Botërore të Shëndetësisë, thanë se u ka humbur kontakti me stafin në Gaza.
-Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara me shumicë votash miratoi një rezolutë që bën thirrje për armëpushim të menjëhershëm e të qëndrueshëm humanitar e qasje të papenguar të ndihmave në Rripin e Gazës. Rezoluta e paraqitur nga Jordania nuk është e detyrueshme, por ka peshë politike, duke e pasqyruar shkallën e izolimit të Izraelit e Shteteve të Bashkuara në këtë çështje. Shqipëria, Maqedonia e Veriut e Serbia ishin në mesin e shteteve që abstenuan.
-Ushtria izraelite e ka akuzuar Hamasin se po i shfrytëzon spitalet në Gaza për qëllime ushtarake dhe se i ka shndërruar ato në “vende për t’u fshehur për terroristët dhe komandantët e Hamasit”. Përderisa nuk është e mundshme që të vërtetohen hollësitë e sakta të kësaj akuze, ka dëshmi që Hamasi në të kaluarën e ka shfrytëzuar mburojën që ofrohet nga objektet civile, përfshirë spitalet.
-Kombet e Bashkuara kanë thënë se janë të shqetësuara se të dyja palët e konfliktit Izrael – Hamas janë duke kryer krime lufte. Këtë shqetësim e paraqiti të premten zëdhënësja e Zyrës për të Drejtat e Njeriut në OKB, Ravina Shamdasani.
-Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, ka thënë se bombardimi i Gazës nga forcat izraelite rrezikon që të krijojë një katastrofë mund të zgjatë “për shumë dekada, nëse jo shekuj”. “Përderisa e dënojmë terrorizmin, ne kategorikisht nuk pajtohemi që mund t’i kundërpërgjigjeni terrorizmit duke i shkelur normat e së drejtës humanitare ndërkombëtare, përfshirë përdorimin e forcës pa dallim kundër caqeve ku dihet se ka civilë të pranishëm, përfshirë pengjet që janë marrë”- tha ministri i Putinit.
-Presidenti i Egjiptit, Abdel Fatah al-Sisi, të shtunën u bëri thirrje të gjitha palëve që t’i respektojnë sovranitetin dhe pozicionin e vendit të tij në rajon, pasi disa dronë kishin rënë të premten në dy qyteza egjiptiane në bregdetin e Detit të Kuq.
-Familjet e rreth 230 pengjeve që po mbahen në Rripin e Gazës bënë një apel urgjent të shtunën për takim me kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu, me ministrin e Mbrojtjes, Yoav Gallant, dhe me anëtarë të tjerë të kabinetit të luftës për shkak të frikës rreth sigurisë së të dashurve të tyre, përderisa ushtria izraelite kreu sulm masiv në pjesën veriore të Gazës.
-Komisionari i Lartë për të Drejtat e Njeriut në OKB, Volker Turk, paralajmëroi të shtunën se ka mundësi që mijëra civilë të tjerë të vdesin në Gaza gjatë operacionit tokësor të Izraelit. “Duke e marrë parasysh mënyrën në të cilën janë kryer operacionet ushtarake deri më tani, në kontekstin e pushtimit 56-vjeçar, unë po e ngre alarmin për pasojat potencialisht katastrofale të operacioneve tokësore të nivelit të lartë në Gaza dhe për mundësinë që mijëra civilë të tjerë të vdesin”- tha ai.



