Vazhdon hipokrizia, Rusia thotë se bombardimi i Gazës bie ndesh me të drejtën ndërkombëtare - NACIONALE

Vazhdon hipokrizia, Rusia thotë se bombardimi i Gazës bie ndesh me të drejtën ndërkombëtare

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, ka thënë se bombardimi i Gazës nga forcat izraelite rrezikon që të krijojë një katastrofë mund të zgjatë “për shumë dekada, nëse jo shekuj”.

Kryediplomati rus i bëri këto komente – prej më të ashprave nga Moska për Izraelin deri më tani – në një intervistë me agjencinë shtetërore bjelloruse të lajmeve, “Belta”, përcjell gazeta “The Guardian”.

“Përderisa e dënojmë terrorizmin, ne kategorikisht nuk pajtohemi që mund t’i kundërpërgjigjeni terrorizmit duke i shkelur normat e së drejtës humanitare ndërkombëtare, përfshirë përdorimin e forcës pa dallim kundër caqeve ku dihet se ka civilë të pranishëm, përfshirë pengjet që janë marrë”- tha ministri i Putinit.

“Nëse Gaza shkatërrohet dhe dy milionë banorë dëbohen, siç propozojnë disa politikanë në Izrael e jashtë tij, kjo do të krijojë një katastrofë për shumë dekada, nëse jo shekuj”- shtoi ai.

Vetë Rusia ka qenë subjekt i kritikave të shpeshta për veprimet e saj në Ukrainë, për të cilat shumë thonë se e përfshijnë kryerjen e krimeve të luftës.

Komentet e Lavrovit erdhën në ditën e 22-të të luftës mes Izraelit e Hamasit. Autoritetet shëndetësore në Gaza thanë të premten se 7.326 palestinzë janë vrarë që nga fillimi i bombardimeve nga forcat izraelite.

Lavrovi tha se Rusia, që i mbështet armëpushimin e menjëhershëm dhe zgjidhjen me dy shtete, vazhdon që ta theksojë nevojën për paqe.

“Ne mbetemi në kontakt të plotë me Izraelin dhe ambasadori ynë është rregullisht në kontakt me ta. Po dërgojmë sinjale për nevojën që të kërkohet një zgjidhje paqesore e jo të vazhdohet me këtë “strategjinë e tokës së djegu”- tha ministri rus.

Lajme të ngjashme