Izraeli i shpeshton sulmet në Gaza, organizatave të huaja u humb kontakti me stafin
Forcat izraelite kryen bombardime intensive të premten natën në Gaza, duke i ndërprerë linjat e komunikimit dhe të internetit në enklavën e izoluar.
Forcat e Mbrojtjes të Izraelit thanë të premten në mbrëmje se forcat tokësore dhe ajrore po i shtonin operacionet në Gaza. Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Daniel Hagari, tha se në shënjestër të sulmeve ajrore ishin tunelet e Hamasit dhe caqe të tjera, duke i paralajmëruar banorët e qytetit Gaza që të shkonin drejt jugut.
Një këshilltar i lartë i qeverisë izraelite tha se Hamasi “do ta ndiejë zemërimin tonë sonte”. “Sonte do ta fillojmë shpagimin. Kur kjo të përfundojë, Gaza do të jetë shumë ndryshe”- tha ai, raporton gazeta “The Guardian”.
Pas rënies së errësirës, shpërthime të shpeshta nga sulmet ajrore e ndriquan qiellin mbi qytetin Gaza. Gjysmëhëna e Kuqe, Organizata Botërore e Shëndetësisë, Mjekët pa Kufij, UNICEF-i dhe grupe të tjera të ndihmave thanë se u kishte humbur kontakti me stafin e tyre në Gaza.
Agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë ka paralajmëruar se “shumë të tjerë do të vdesin” në Gaza nga mungesa katastrofale e furnizimeve.
“Njerëzit në Gaza po vdesin, nuk po vdesin vetëm nga bombat dhe sulmet, së shpejti shumë të tjerë do të vdesin nga pasojat e rrethimit”- tha Philippe Lazzarini, shef i kësaj agjencie.
Hamasi tha të shtunën se luftëtarët e tij në Gaza ishin të gatshëm për t’iu kundërvënë sulmeve izraelite me “forcë të plotë”, pasi Izraeli i shpeshtoi sulmet ajrore e tokësore. Më herët, grupi palestinez tha se luftëtarët e tij ishin duke u përleshur me trupat izraelite në qytezën verilindore të Gazës, Beit Hanoun, si dhe në zonën qendrore, Al-Bureij.