Tre të vdekur nga aksidentet në rrugë me akull në Gjermani, pezullohen fluturimet në Mynih
Shiu i akullt dhe moti i ftohtë që e kanë përfshirë Gjermaninë u përmendën si arsye për aksidente trafiku që lanë tre të vdekur të martën, ndërsa në aeroportin e Mynihut u pezulluan përkohësisht fluturimet.
Një nxënës vdiq në një aksident ku u përfshi një autobus shkolle në Malet Erzgebirge, në shtetin lindor gjerman të Saksonisë, tha policia. Të paktën dhjetë nxënës të tjerë u dërguan në spital. Dy të vrarë, përfshirë vozitësin e autobusit, pësuan lëndime serioze, raporton agjencia "Associated Press".
Autobusi goditi një automjet për mirëmbajtjen e rrugës në distriktin Sehmatal, afër kufirit me Çekinë, raportoi agjencia gjermane e lajmeve, DPA. Më pas, autobusi u përplas në një dru dhe ndikimi ishte aq i fuqishëm, saqë u shkatërrua tërësisht pjesa e përparme e autobusit.
Në Mynih, të gjitha fluturimet u anuluan ose u shtynë mes orës 6 të mëngjesit deri në mesditë. Aeroporti paralajmëroi se shumë fluturime të planifikuara për më vonë gjatë ditës gjithashtu mund të preken nga kushtet e rënda të motit.
Ky aeroport, që është i dyti më i madhi në Gjermani, njoftoi mbyllje të përkohshme të hënën në mbrëmje si rezultat i parashikimit të motit për të martën.
Dy persona vdiqën nga përplasja mes një veture e një kamioni në autostradën A8 në Bavarinë e Epërme. Sipas policisë, vetura rrëshqiti dhe u fut nën pjesën e pasme të kamionit, i cili ishte ndalur për shkak të shiut të akullt në sipërfaqen e autostradës.
Autostrada A99 afër Mynihut u mbyll për të dyja drejtimet, pasi 13 automjete u përfshinë në një aksident masiv, raportoi agjencia DPA. Nuk pati të dhëna të menjëhershme për lëndime të mundshme.