Transnistria i kufizon ngrohjen dhe ujin e ngrohtë pasi Rusia ndërpreu furnizimin me gaz
Rajoni separatist moldav, Transnistria, të mërkurën e kufizoi furnizimin me ngrohje dhe ujë të ngrohtë për amvisëri, pasi Rusia e ndërpreu furnizimin me gaz përmes territorit të Ukrainës.
“Nuk ka ngrohje ose ujë të ngrohtë” – i tha përmes telefonit agjencisë së lajmeve “Reueters” një punëtore e kompanisë lokale të energjisë, “Tirasteploenergo”, nga Tiraspoli, qyteti kryesor i territorit separatist. Ajo tha se nuk e di se sa do të zgjaste kjo situatë.
Transnistria është entitet pro-rus që është ndarë nga Moldavia pas shembjes së Bashkimit Sovjetik më 1991. Territori ishte duke pranuar gaz rus përmes Ukrainës, por kjo rrugë u ndërpre të mërkurën me skadimin e një marrëveshje transiti mes dy palëve që janë në luftë.
Në një deklaratë të publikuar në uebfaqen e kompanisë së energjisë thuhet se kufizimi i ngrohjes hyri në fuqi në orën 7 të mëngjesit të mërkurën, por se nga kjo masë përjashtohen disa objekte si spitalet.
Kompania u bëri thirrje banorëve që të vishen trashë, t’i grumbullojnë anëtarët e familjes në një dhomë, të varin batanije ose perde të trasha në dritare dhe në dyert e ballkoneve si dhe të përdorin ngrohëse elektrike.
“Është e ndaluar që të përdoren stufa me gaz ose me rrymë për ta ngrohur banesën. Kjo mund të çojë në tragjedi” – tha kompania.
Transnistria ka ekzistuar përgjithësisht në mënyrë paqësore krahas Moldavisë që nga një luftë e shkurtër pas periudhës sovjetike më 1992. Rreth 1.500 trupa ruse janë të vendosura atje.