Theren për vdekje gjashtë persona në Kanada, përfshirë katër fëmijë të vegjël - NACIONALE

Theren për vdekje gjashtë persona në Kanada, përfshirë katër fëmijë të vegjël

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Gjashtë persona nga Sri-Lanka, përfshirë një nënë dhe katër fëmijë të vegjël, u therën për vdekje të mërkurën vonë në kryeqytetin kanadez, Otavë, tha të enjten policia, duke goditur një shtet ku vrasjet masive janë të rralla.

Kryeministri kanadez, Justin Trudeau, tha se ishte i tmerruar nga ajo që e quajti “tragjedi e tmerrshme”. Edhe babai i fëmijëve u plagos gjatë sulmit dhe ndodhet në spital, raporton agjencia “Reuters”.

Policia tha se Febrio De-Zoysa, student 19-vjeçar nga Sri-Lanka, është arrestuar dhe është ngarkuar me gjashtë akuza për vrasje të shkallës së parë dhe me një akuzë për vrasje në tentativë. De-Zoysa e njihte këtë familje dhe kishte qenë duke jetuar në atë shtëpi, thanë autoritetet.

Në mesin e viktimave ishin një grua 35-vjeçare dhe fëmijët e saj 7, 4, 2 vjeç e një dymuajsh, si dhe një burrë 40-vjeçar, person i njohur i familjes.

“Ky ishte një akt i pakuptimtë dhune, i kryer ndaj personave tërësisht të pafajshëm” – tha komandanti i policisë së Otavës, Eric Stubbs, në një konferencë për gazetarë. Policia tha se nuk kishte pasur punë më parë me të dyshuarin ose me familjen e sulmuar.

Kryetari i Otavës, Mark Sutcliffe, në një shkrim në rrjete sociale, tha se ky është “njëri nga incidentet më shokuese të dhunës në historinë e qytetit tonë”.

Në Otavë, qytet me një milion banorë, ishin regjistruar 14 vrasje më 2023 dhe 15 më 2022.

Viktimat e së mërkurës u gjetën në një shtëpi në pjesën periferike jugperëndimore të kryeqytetit, Barrhaven. Policia arriti në vendin e ngjarjes pas thirrjeve urgjente pak para orës 23:00 të mërkurën.

Vrasjet masive në Kanada nuk janë të shpeshta. Në dhjetor të vitit 2022, një burrë qëlloi pesë persona në periferi të Torontos para se të eliminohej nga policia.

Në shtator të atij viti, një burrë theri dhe vrau 11 persona në provincën perëndimore, Saskatchewan. Ai vdiq nga mbidoza e kokainës pak pas arrestimit.

Lajme të ngjashme