'Kurti mban peng konstituimin e Kuvendit', i reagon Rama: Pushteti është i përkohshëm, Kosova është e përhershme - NACIONALE

'Kurti mban peng konstituimin e Kuvendit', i reagon Rama: Pushteti është i përkohshëm, Kosova është e përhershme

1 orë më parë

nga NACIONALE

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar pas ngjarjeve të fundit, ku dështoi sërish mbajtja e seancës konstituive, pasi Kurti po kërkon kohë edhe pasi kanë kaluar 30 ditë nga certifikimi i zgjedhjeve, siç thuhet në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese. Mbrëmë ishte afati i fundit, ndërsa në shenjë revolte deputetja Time Kadrijaj ka gjuajtur me vezë në drejtim të deputetit dhe liderit të VV-së, Albin Kurti, i cili po vazhdon ta mbajë “peng” Kosovën, duke mos propozuar emrin e kryetarit të Kuvendit.

Rama, në reagimin e tij, tha se Kosova nuk është pronë e Albin Kurtit dhe se kjo çfarë po ndodh me Kuvendin është lojë e rrezikshme që po bëhet me shtetin.

Sipas tij, afatet kushtetuese nuk mund të varen nga kalkulimet politike të një partie.

Kushtetuta e Republikës së Kosovës nuk funksionon sipas nevojave politike të një partie. Afatet kushtetuese nuk presin derisa Albin Kurti t’i bëjë numrat. Kuvendi nuk mund të shndërrohet në instrument pazari për Presidentin, Qeverinë apo për mbijetesën politike të askujt”, ka shkruar Rama.

Ai ka ngritur një varg pyetjesh drejtuar Kurtit, duke kërkuar të dijë pse po mbahet peng konstituimi i Kuvendit dhe pse, sipas tij, institucionet po përdoren për kalkulime politike.

“Kur i kanë numrat, flasin për demokraci. Kur nuk i kanë, prodhojnë bllokadë. Kur u konvenon Kushtetuta, e citojnë. Kur nuk u konvenon, kërkojnë kohë dhe arsyetime”, ka deklaruar Rama.

Kryetari i Prishtinës ka komentuar edhe hedhjen e vezëve nga deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, në drejtim të Albin Kurtit gjatë seancës.

Me keqardhje po i shohim edhe skenat e sotme në Kuvend, ku deputetja Time Kadrijaj hodhi vezë në drejtim të Albin Kurtit. Në një situatë të tillë të tensionuar politike, pamje të tilla nuk i bëjnë nder Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe duhet të na shqetësojnë të gjithëve”, ka shkruar ai.

Reagimi i plotë i Ramës:

KOSOVA NUK ËSHTË PRONË E ALBIN KURTIT. KUSHTETUTA NUK ËSHTË MJET PËR MANIPULIME POLITIKE!

Të dashur qytetarë,

Ajo që po shohim në Kuvendin e Republikës së Kosovës është papërgjegjësi e rëndë institucionale dhe një lojë e rrezikshme me funksionimin e shtetit.

Afatet po kalojnë. Kuvendi mbetet i pakonstituuar. Institucionet po mbahen në bllokadë, ndërsa Albin Kurti vazhdon me kalkulime për pushtet.

Kushtetuta e Republikës së Kosovës nuk funksionon sipas nevojave politike të një partie. Afatet kushtetuese nuk presin derisa Albin Kurti t’i bëjë numrat. Kuvendi nuk mund të shndërrohet në instrument pazari për Presidentin, Qeverinë apo për mbijetesën politike të askujt.

SHTETI ËSHTË MBI PARTINË!

Albin Kurti duhet t’u përgjigjet qytetarëve:

Pse po mbahet peng konstituimi i Kuvendit?

Pse institucionet e Republikës po përdoren për kalkulime politike?

Deri kur do të prodhoni kriza vetëm pse nuk i keni numrat për pushtetin që kërkoni?

Kush ua ka dhënë të drejtën ta trajtoni Republikën e Kosovës sikur të ishte pronë e partisë suaj?

Kur i kanë numrat, flasin për demokraci.

Kur nuk i kanë, prodhojnë bllokadë.

Kur u konvenon Kushtetuta, e citojnë.

Kur nuk u konvenon, kërkojnë kohë dhe arsyetime.

Mjaft!

Me keqardhje po i shohim edhe skenat e sotme në Kuvend, ku deputetja Time Kadrijaj hodhi vezë në drejtim të Albin Kurtit.

Në një situatë të tillë të tensionuar politike, pamje të tilla nuk i bëjnë nder Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe duhet të na shqetësojnë të gjithëve.

Deri kur do të jetojë ky popull në krizë, tension dhe përçarje politike?

Populli i Kosovës nuk meriton politikanë përçarës që prodhojnë vazhdimisht kriza dhe trauma.

Ka mjaft vuajtje ky popull.

Ka mjaft përçarje.

Ka mjaft kriza.

Kosova ka paguar një çmim tepër të lartë për lirinë, demokracinë dhe shtetin e saj që institucionet sot të përdoren si monedhë për kalkulime politike.

Albin Kurti mban përgjegjësi politike për mënyrën se si po e menaxhon këtë krizë. Detyra e një Kryeministri është të marrë përgjegjësi, të respektojë rendin kushtetues dhe të kontribuojë në stabilitetin e vendit.

Kosovës i duhet stabilitet.

Kosovës i duhen institucione funksionale.

Kosovës i duhet respekt për Kushtetutën.

Kosovës i duhet lidership që bashkon dhe merr përgjegjësi.

Kuvendi u përket qytetarëve.

Kushtetuta mbron Republikën.

Institucionet duhet t’u shërbejnë qytetarëve.

Askush nuk është mbi Kushtetutën.

Askush nuk është mbi institucionet.

Askush nuk është mbi Republikën e Kosovës!

Albin Kurti, pushteti është i përkohshëm.

KOSOVA ËSHTË E PËRHERSHME!

SHTETI ËSHTË I SHENJTË!

Lajme të ngjashme