Tha se atentati ndaj Trumpit mund të jetë i inskenuar, kërkon falje këshilltari i donatorit demokrat
Një këshilltar i një donatori të madh të Partisë Demokratike të ShBA-së kërkoi falje të dielën për sugjerimin e mundësisë se të shtënat ndaj ish-presidentit Donald Trump mund të ishin të inskenuara.
Strategu demokrat, Dmitri Mehlhorn, është këshilltar i miliarderit Reid Hoffman, i cili është bashkëthemelues i rrjetit social “LinkedIn” dhe donator i rëndësishëm i kandidatëve që janë kryesisht pjesë e Partisë Demokratike, raporton agjencia “Reuters”.
Uebfaqja e lajmeve, “Semafor”, raportoi se këshilltari Mehlhorn, në një shkresë elektronike dërguar disa gazetarëve e mbështetësve, tha se ekzistonte mundësia “që ky “sulm” ishte i inkurajuar dhe ndoshta madje i inskenuar në mënyrë që Trumpi t’i siguronte fotografitë dhe të përfitonte nga reagimet”.
Mehlhorn-i kërkoi falje të dielën. “Mbrëmë, unë dërgova një shkresë elektronike për të cilën tani më vjen keq. Unë e draftova dhe e dërgova atë pa u konsultuar me ekipin tim. U kam kërkuar falje atyre drejtpërdrejt. Dua gjithashtu të kërkoj falje publikisht, pa rezervë, që kam lejuar që fjalët e mia të jenë shpërqendrim nga fakti qendror i natës së mbrëmshme: dhuna politike mori edhe një jetë të pafajshme amerikane” – tha ai.
“Ne duhet të bashkohemi në dënimin e një dhune të tillë në secilin rast, pa rezervë. Çfarëdo teme tjetër është shpërqendrim” – shtoi këshilltari i donatorit miliarder të demokratëve.
Udhëheqës të lartë të Partisë Demokratike dhe Partisë Republikane, përfshirë presidentin Joe Biden dhe kandidatin për president, Donald Trump, i kanë bërë thirrje vendit të përçarë politikisht që të bashkohet dhe ta ruajë qetësinë pas të shtënave në drejtim të ish-presidentit.
Trumpi u qëllua të shtunën në një tubim në Pensilvani. Ai ka thënë se është në gjendje të mirë, por të shtënat e lanë fytyrën e tij të gjakosur, pasi u godit veshi i djathtë i tij. Një pjesëmarrës në tubim u vra gjatë të shtënave, dy të tjerë u plagosën dhe i dyshuari tashmë është i vdekur. FBI-ja ka thënë se është duke i hetuar të shtënat si vrasje në tentativë.
Të shtënat në Pensilvani nxitën një valë të teorive konspirative të pabaza në internet. Disa njerëz thanë se të shtënat u kryen nga një “shtet i thellë” në hije kundër Trumpit, ndërsa të tjerë sugjeruan se rasti mund të ishte inskenuar për të fituar simpati.
Presidenti Joe Biden, të dielën e dënoi fuqishëm dhunën politike dhe i bëri thirrje kombit që t’i refuzonte “ekstremizmin dhe tërbimin” pas vrasjes në tentativë të kandidatit për president dhe ish-presidentit Donald Trump.
Në një adresim nga Zyra Ovale, Bideni tha se amerikanët duhet të përpiqen për “unitet kombëtar”, duke paralajmëruar se retorika politike në ShBA ishte bërë “shumë e nxehtë”, përderisa shtohen emocionet në muajt përfundimtarë para zgjedhjeve presidenciale të nëntorit, raporton gazeta “The Guardian”.
“Nuk ka vend në Amerikë për këtë lloj dhune – për asnjë dhunë. Asnjëherë. Pikë. Pa përjashtim. Ne nuk mund të lejojmë që kjo dhunë të normalizohet” – tha kreu i Shtëpisë së Bardhë.
Apel i Bidenit ndaj amerikanëve “për t’u qetësuar” erdhi pasi Trumpi tha se do ta shfrytëzonte fjalimin e tij në konventën kombëtare republikane “për ta bërë bashkë tërë vendin, madje tërë botën”.
“Fjalimi do të jetë shumë më ndryshe se që do të kishte qenë para dy ditëve” – tha Trumpi, duke shtuar se realiteti i asaj që kishte ndodhur “porsa po fillon”.
Bideni tha urdhër për një rishikim të pavarur për të zbuluar se si një person i armatosur ishte në gjendje që të hipte në kulmin e një ndërtese ku kishte pamje nga tubimi i Trumpit në Pensilvani të shtunën dhe që shkrepte disa plumba në drejtim të ish-presidentit nga një “pozicion i ngritur”.
FBI-ja paralajmëroi të dielën se kërcënimet në internet për dhunë politike, tashmë të shtuara, ishin rritur që nga shkrepja e të shtënave në drejtim të Trumpit./Nacionale