Tetë anëtarë të një familjeje në ShBA, përfshirë pesë fëmijë, gjenden të vrarë në shtëpi
Tetë anëtarë të një familjeje, përfshirë pesë të mitur, janë gjetur të vdekur me plagë nga arma e zjarrit në një shtëpi në Utah të Shteteve të Bashkuara.
Policia u ftua që të shkonte në një shtëpi për ta bërë kontrollin e mirëqenies, pasi prej familjes nuk ishte dëgjuar asgjë për një kohë të gjatë. Autoritetet i gjetën trupat e tre të rriturve dhe pesë të miturve, tha menaxheri i qytezës Enoch, Rob Dotson.
“Nuk dimë pse ka ndodhur kjo. Nuk do të bëjmë supozime”- tha ai në një intervistë me shkrim, që ua ka dërguar gazetarëve përmes postës elektronike.
Disa agjenci të sundimit të ligjit janë duke bashkëpunuar për hetimin e këtij rasti dhe ai mund të zgjasë disa ditë, sipas këtij zyrtari.
“Ky komunitet është duke ndier dhimbje. Ne të gjithë e njohim këtë familje. Shumë prej nesh kemi shërbyer me ta në kishë dhe në komunitet dhe kemi shkuar në shkollë me këta individë”- tha Dotson-i.
“Komuniteti... është duke e ndier humbjen, është duke e ndier dhimbjen, ka shumë pyetje”- shtoi ai.
Qyteza Enoch ka popullsi prej rreth 8 mijë banorësh dhe shtrihet në pjesën jugperëndimore të shtetit perëndimor amerikan, Utah, rreth 400 kilometra në jug të qytetit Salt Lake.