Tërmeti në Afganistan, rritet frika për shumë fëmijë të vdekur
Pas tërmetit në Afganistan që la të vdekur mbi 1 mijë persona e 1,500 të lënduar, mjekët në Afganistan kanë thënë për BBC-në, se mund të jenë vrarë edhe shumë fëmijë.
Tërmeti me magnitudë 6.1 ballë, që goditi vendin mëngjesin e së mërkurës ka lënë nën rrënoja shumë njerëz, e ndërsa moti shoqërohet nga një shi i dendur janë vështirësuar edhe përpjekjet për punonjësit e kërkim-shpëtimit.
Për shkak të gjendjes shumë të vështirë në vend, është bërë e ditur që Kombet e Bashkuara janë në përpjekje për të ofruar strehime urgjente dhe ndihma ushqimore për zonat e goditura më rëndë, ndërsa autoritetet talibane kanë bërë thirrje për më shumë ndihmë ndërkombëtare.
Ndërkohë, edhe të mbijetuarit dhe persona nga ekipet e shpëtimit kanë thënë për BBC-në, se fshatrat pranë epiqendrës së tërmetit janë shkatërruar plotësisht, duke rritur frikën se numri i të vdekurve mund të rritet edhe më tej.
Ky ishte tërmeti më vdekjeprurës që ka goditur Afganistanin në dy dekada, duke u bërë edhe një sfidë e madhe për talibanët - grupi islamik që rifitoi pushtetin vitin e kaluar pas rënies së qeverisë të mbështetur nga Perëndimi.
Ndërsa, zyra e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare, ka raportuar se gjatë dekadës së fundit në Afganistan janë vrarë më shumë se 7,000 njerëz nga tërmetet, mesatarisht 560 vdekje në vit.