“Tërhiqi këto forca menjëherë, është urdhër”: Ballafaqimi i presidentit të Bolivisë me gjeneralin - NACIONALE

“Tërhiqi këto forca menjëherë, është urdhër”: Ballafaqimi i presidentit të Bolivisë me gjeneralin

2 vjet më parë

nga Nasuf Abdyli

Një puç ushtarak në tentativë përfundoi me ngadhënjimin e pushtetit civil dhe me arrestimin e udhëheqësit të kryengritjes, Gjeneral Juan Jose Zuniga. Në internet kanë dalë pamje nga një ballafaqim mes presidentit Lusi Arce dhe Zunigas.

Brenda një objekti qeveritar, në njërë anë qëndronte presidenti me zyrtarë të tjerë, ndërsa në anën tjetër Zuniga me ushtarë e mbështetës.

Presidenti Arce dëgjohet duke i thënë Zunigas: “Tërhiqi këto forca menjëherë, është një urdhër.”

“Është një urdhër” – thotë përsëri presidenti.

“Gjeneral, nuk do të më bindesh mua” – pyet më pas ai.

Videoja ndërpritet pas pak dhe nuk dihet nëse ka pasur komunikim tjetër, por ajo që dihet është se Zuniga u arrestua dhe përpjekja e tij për puç dështoi.

Presidenti bolivian më pas emëroi komandantë të rinj të ushtrisë.

Udhëheqësi i ushtarëve të rebeluar, Gjeneral Juan Jose Zuniga, kishte thënë se dëshironte që ta “ristrukturonte demokracinë” dhe se përderisa e respektonte presidentin Luis Arce tani për tani, do të bëhej ndërrimi i Qeverisë. Tani ai është arrestuar.

Presidenti Arce e dënoi tentativën për puç, duke i bërë thirrje popullit që të “organizohej e mobilizohej... në favor të demokracisë”.

“Ne nuk mund të lejojmë edhe një herë që puçet në tentativë të marrin jetë boliviane” – tha ai në një porosi të transmetuar në televizion para popullit nga pallati presidencial.

Fjalët e tij patën efekt. Protestues pro demokracisë dolën rrugëve në përkrahje të pushtetit civil.

Televizioni BBC raporton se javët e ardhshme do të jenë kyçe për të përcaktuar nëse kryengritja ushtarake e Zunigas ishte vetëm një incident i izoluar.

Qartazi, Qeveria tani duket më e cenueshme dhe figura të tjera mund të mundohen që ta rrëzojnë administratën e presidentit Arce, edhe pse përmes politikës e jo përmes ushtrisë.

Për më tepër, Arce mund të llogariste në mbështetjen e ish-presidentit me ndikim, Evo Morales. Moralesi u kërkoi përkrahësve të tij që të dilnin në rrugë dhe të bënin thirrje për përfundimin e puçit ushtarak./Nacionale

Lajme të ngjashme