Tërhiqet nga politika ish-ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant - NACIONALE

Tërhiqet nga politika ish-ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant

1 vit më parë

nga NACIONALE

Ish-ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Yoav Gallant, i cili shpesh kishte marrë vijë të pavarur të qëndrimeve kundër kryeministrit Benjamin Netanyahu dhe aleatëve të tij të së djathtës ekstreme, tha të mërkurën se do të jepte dorëheqje edhe nga Kuvendi.

Gallanti ishte shkarkuar nga posti i ministrit në nëntor nga Netanyahu, pas disa muajve me mosmarrëveshje rreth veprimeve në luftën kundër Hamasit në Gaza, por e mbajti ulësen e deputetit në Knesset, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

“Ashtu siç është në fushën e betejës, është edhe në shërbimin publik. Ka momente kur duhet të ndalesh, të vlerësosh dhe të zgjedhësh një drejtim për t’i arritur qëllimet” – tha Gallanti në një deklaratë të transmetuar në televizion.

Gallanti shpesh kishte dalë kundër qëndrimeve të Netanyahut dhe aleatëve të tij të koalicionit qeveritar që kanë bindje të së djathtës ekstreme, si dhe kundër partive religjioze. Në mesin e temave që kishin shkaktuar mosmarrëveshje ishte përjashtimi që u ishte mundësuar burrave ultra-ortodoksë nga rekrutimi në ushtri.

Në mars të vitit 2023, Netanyahu e kishte shkarkuar Gallantin, pasi ky kishte bërë thirrje për ndërprerjen e një plani shumë të kontestuar qeveritar për kufizimin e kompetencave të Gjykatës Supreme. Shkarkimi i tij kishte nxitur protesta masive dhe Netanyahu e kishte ndërruar mendjen.

Gjykata Ndërkombëtare Penale ka lëshuar urdhërarreste për Netanyahun dhe Gallantin, bashkë me një udhëheqës të Hamasit, nën dyshimin për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit gjatë konfliktit në Gaza. Izraeli i ka kontestuar këto urdhërarreste.

Lajme të ngjashme