Tensione në kufi: Izraeli kundërpërgjigjet me predha në Liban pas sulmit me raketa kundërtank
Predhat izraelite i goditën qytezat libaneze të mërkurën si kundërpërgjigje ndaj raketave kundërtank të shkrepura nga Libani, përderisa dhuna në zonën kufitare hyri në ditën e katërt.
Ushtria izraelite tha se ishte duke e sulmuar Libanin, pasi njëra nga pozicionet e saj veriore ishte shënjestruar me zjarr kundërtank të mërkurën, raporton agjencia “Reuters”.
Sulmi ndodhi afër qytezës izraelite, Arab al-Aramshe, përballë fshatit libanez, Dhayra, thuhet në deklaratën e ushtrisë izraelite, ku nuk u ofruan menjëherë hollësi për pasoja të mundshme në njerëz ose kush mund të jetë prapa këtij sulmi.
Një burim libanez i sigurisë tha se grupi i fuqishëm, Hezbollah, hodhi dy raketa precize drejt Izraelit. Hezbollahu e cilëson Izraelin armik të përbetuar.
Banorët e qytezës jugore libaneze, Rmeish, thanë se predhat izraelite po binin përreth qytezës, ndërsa një burim i sigurisë i tha agjencisë “Reuters” se predhat e artilerisë izraelite po e godisnin pikën për hedhjen e raketave përreth fshatit Dhayra.
Hezbollahu dhe Hamasi pretenduan se kishin kryer sulme nga Libani të martën. Hezbollahu hodhi një raketë me vetëdrejtim në drejtim të një tanku izraelit, duke publikuar një video të shkatërrimit të këtij automjeti. Hamasi tha se kishte hedhur një varg raketash në Izrael.
