Tensione e rrezik për luftë në Afrikë: Ruanda kërcënon Kongon me hakmarrje - NACIONALE

Tensione e rrezik për luftë në Afrikë: Ruanda kërcënon Kongon me hakmarrje

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Ruanda do të hakmerret, nëse pëson sulme të mëtejme nga Republika Demokratike e Kongos, tha ministri i Jashtëm i këtij shteti, pasi këtë muaj e akuzoi Kongon për sulme me predha matanë kufirit.

Reuters

Kongoja e ftoi në takim ambasadorin e Ruandës dhe i pezulloi fluturimet e kompanisë “RwandAir” për në territorin e tij gjatë fundjavës si kundërpërgjigje ndaj asaj që tha se është përkrahje e Ruandës për rebelët e grupit “M23”, që po kryejnë një ofensivë ushtarake në zonat kufitare lindore.

Në anën tjetër, Ruanda e mohon këtë pretendim dhe e ka akuzuar ushtrinë e Kongos se po lufton bashkë me Forcat Demokratike për Çlirimin e Ruandës (FDLR), grup i armatosur, i themeluar nga pjesëtarët e komunitetit etnik, Hutu, që ishin larguar nga Ruanda pas pjesëmarrjes në gjenocidin e vitit 1994.

“Nëse sulmet vazhdojnë, nuk do të qëndrojmë ulur kot... Ruanda do ta ketë të drejtën që të përgjigjet për ta mbrojtur sigurinë e vendit, për ta mbrojtur sigurinë e qytetarëve të saj dhe ne i kemi mënyrat për ta bërë këtë”, u tha gazetarëve ministri i Punëve të Jashtme i Ruandës, Vincent Biruta.

Kryediplomati ruandez tha se luftëtarët e Forcave Demokratike për Çlirimin e Ruandës ishin në mesin e rangjeve të ushtrisë kongoleze, kur predhat e tyre dyshohet se shkatërruan shtëpi dhe lënduan njerëz në anën ruandeze të kufirit.

Kongoja thotë diçka tjetër. “Ata nuk mund të thonë se janë viktima të FDLR-së. FDLR-ja po i vret njerëzit tanë, jo popullin ruandez. Jemi ne ata që vuajnë. Diskursi i tyre për FDLR-në nuk ka më kuptim”, i tha agjencisë “Reuters” zëdhënësi i qeverisë kongoleze, Patrick Muyaya.

Këto përleshje paraqesin rrezik për shthurjen e marrëdhënieve mes dy vendeve, të cilat ishin përmirësuar që nga ardhja në pushtet e presidentit të Kongos, Felix Tshisekedi, para tre vjetëve.

Çfarë është grupi “M23”

Grupi “M23” është themeluar në vitin 2012 dhe është pjesë e grupeve të pjesëtarëve të komunitetit etnik Tutsi, të cilat janë ngritur kundër forcave kongoleze. Emrin e ka marrë nga data 23 mars e vitit 2009, kur ishte nënshkruar një marrëveshje për t’i dhënë fund një revolte të mëhershme në pjesën lindore të Kongos. Grupi “M23” i ka akuzuar autoritet se nuk i kanë mbajtur premtimet për integrimin e plotë të grupit etnik, Tutsi, në ushtri dhe qeveri.

Ky grup pretendon se i mbron interesat e pjesëtarëve të komunitetit Tutsi, sidomos kundër grupeve të armatosura të grupit etnik, Hutu, si Forcat Demokratike për Çlirimin e Ruandës.

A janë të përfshira në konflikt edhe vendet fqinje të Kongos?

Fqinjët lindorë të Kongos, sidomos Ruanda dhe Uganda, kanë histori të gjatë të intervenimeve ushtarake brenda Kongos. Këto dy vende kishin pushtuar territore më 1996 dhe më 1998, duke pretenduar se po e mbronin veten kundër grupeve të armatosura.

Ndonëse lufta e vitit 1998 përfundoi me një traktat të paqes më 2003, qeveria kongoleze, hetuesit e OKB-së dhe ekspertët e pavarur i kanë akuzuar Ruandën dhe Ugandën për përkrahje të grupeve të armatosura brenga Kongos, përfshirë grupin “M23”.

Ata thonë se qëllimet e përkrahjes kanë qenë mbajtja e ndikimit gjeopolitik dhe përfitimi nga nxjerrja e pasurive minerale të zonës. Të dyja shtetet i kanë mohuar këto akuza./Nacionale

Lajme të ngjashme