Të paktën katër të vrarë nga të shtënat në një spital në Oklahoma - NACIONALE

Të paktën katër të vrarë nga të shtënat në një spital në Oklahoma

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Të paktën katër persona u vranë të mërkurën gjatë të shtënave në zonën e një spitali në Oklahoma të ShBA-së, tha policia amerikane në një konferencë për gazetarë.

Policia tha se edhe sulmuesi është i vdekur. Autoritetet besojnë se ai e ka mbytur veten.

Zyrtari policor, Richard Meulenberg, tha se disa persona janë plagosur, ndonëse asnjëri prej tyre nuk është në rrezik për jetë.

Me të arritur në vendin e ngjarjes, policia dëgjoi të shtëna brenda ndërtesës. Raportohet se të shtënat kanë ndodhur në katin e dytë të saj. Asnjë polic nuk është lënduar gjatë operacionit.

Muelenberg tha se sulmuesi kishte një armë të gjatë në vendin e ngjarjes. Emri i sulmuesit nuk është bërë publik.

Autoritetet gjithashtu nuk kanë dhënë informata për motivimin e mundshëm për këtë sulm.

Zyrtarët janë duke i intervistuar dëshmitarët që ndodheshin në pjesë të ndryshme të ndërtesës, përfshirë ata të katit të dytë, ku ndodhi sulmi.

Shtëpia e Bardhë tha se presidenti Joe Biden është njoftuar për rastin. Javën e kaluar, ai u bëri thirrje amerikanëve që zëri i tyre të dëgjohej për ta parandaluar dhunën e mëtejme me armë, pas vrasjes së 19 fëmijëve dhe dy mësuesve në një shkollë në Teksas.

Lajme të ngjashme