Të paktën 15 të vrarë nga sulmi izraelit në një shkollë të Gazës - NACIONALE

Të paktën 15 të vrarë nga sulmi izraelit në një shkollë të Gazës

1 vit më parë

nga NACIONALE

Një sulm izraelit ndaj një shkolle që përdorej për strehimin e palestinezëve të zhvendosur ka lënë të vrarë të paktën 15 njerëz në pjesën qendrore të Gazës, thonë autoritetet.

Agjencia e Mbrojtjes Civile në Gaza, e udhëhequr nga Hamasi, tha se zona në kampin “Nuseirat” u godit nga një grumbull predhash të artilerisë të dielën, duke lënë familje të tëra të vrara e dhjetëra të plagosur, raporton televizioni BBC.

Forcat e Mbrojtjes të Izraelit thanë se ishin duke i analizuar raportimet.

Më herët, pesë fëmijë u raportuan të vrarë nga një sulm me dron, përderisa ishin duke luajtur në një kënd rruge në veri të Gazës.

Një zëdhënës i Mbrojtjes Civile tha se sulmi ndaj shkollës “al-Mufti”, ku ishin duke u strehuar qindra njerëz të zhvendosur nga pjesë të ndryshme të Gazës, la të paktën 50 të lënduar e mbi 12 të vrarë.

Zonat kryesore të konfliktit në Gaza ditëve të fundit kanë qenë në pjesën veriore, ku forcat izraelite i kanë shpeshtuar sulmet për më shumë se një javë si pjesë e një operacioni të gjerë tokësor. Autoritetet në Gaza kanë raportuar se qindra njerëz janë vrarë nga ajo kohë.

Banorët në Beit Hanoun, Jabalia dhe Beit Lahiya kanë raportuar se u është ndërprerë qasja në Qytetin Gaza, ndërsa tanke izraelite janë parë në periferi të qytetit më të madh të enklavës.

Spitalet e zonës po mbeten pa furnizime, edhe pse Organizata Botërore e Shëndetësisë ka thënë se përmes një operacioni të përbashkët me Kryqin e Kuq kishte rifurnizuar dy prej tyre pas nëntë ditëve përpjekje.

Pesë fëmijët në veri të Gazës raportohet se u vranë nga një sulm ajror izraelit, përderisa ishin duke luajtur në një kënd rruge në kampin “al-Shati”.

Pamjet e rënda nga vendi i ngjarjes pas sulmit shfaqnin trupa të përgjakur të atyre që dukeshin si djem të rinj adoleshentë.

Njëri prej tyre dukej se ishte duke shtrënguar në grusht disa toptha qelqi, me të cilët luajnë fëmijët.

Sipas një raporti nga vendi i ngjarjes, sulmi me dron goditi një person që po ecte rrugës, duke i lënë të vrarë edhe fëmijët, ndërsa shtatë persona të tjerë pësuan lëndime./Nacionale

Lajme të ngjashme