“Tani çështje kohe”: Raportohet se Izraeli ka vendosur se cilat caqe do t’i sulmojë në Iran - NACIONALE

“Tani çështje kohe”: Raportohet se Izraeli ka vendosur se cilat caqe do t’i sulmojë në Iran

1 vit më parë

nga Nasuf Abdyli

Izraeli ka vendosur për caqet që potencialisht mund t’i sulmojë në Iran, sipas raportimeve televizive izraelite të martën, duke sugjeruar se vendi po i afrohej kundërpërgjigjes ndaj sulmit masiv me raketa nga Teherani muajin e kaluar.

Sipas televizionit “Channel 12”, ushtria paraqiti një listë caqesh para kryeministrit Benjamin Netanyahu dhe ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, përderisa po i finalizon përgatitjet, që përfshijnë “bashkërendim të ndjeshëm” me shtete të tjera në rajon, raporton gazeta “The Times of Israel”.

Në një raportim të televizionit publik, “Kan”, thuhet se “kasta politike” kishte vendosur për caqet, pa saktësuar se për cilët zyrtarë ose grup vendimmarrës bëhej fjalë.

“Caqet janë të qarta. Tani është çështje kohe” – i tha një burim izraelit këtij televizioni.

Në raportim gjithashtu u tha se Izraeli ia kishte përshkruar planet e përgjithshme të sulmit Shteteve të Bashkuara, por ende nuk kishte dhënë përditësim për caqe specifike, duke cituar një burim të afërt me çështjen të ketë pranuar se “caqet gjithashtu do të mund të ndryshonin në çastin e fundit”.

Televizioni gjithashtu raportoi në mënyrë të ndarë se ministri Gallant ka thënë që është parë “sy më sy” me Netanyahun dhe me komandantin e ushtrisë izraelite, Herzi Halevi "për “nevojën dhe thelbin e kundërpërgjigjes".

Në një deklaratë publike të martën, Gallanti u zotua se Izraeli “do t'i kundërpërgjigjet së shpejti” Iranit.

"Do të jetë një kundërpërgjigje precize dhe vdekjeprurëse"– u tha ai anëtarëve të Forumit Gvura, që përbëhet nga familjet e pengjeve që po mbahen në Gaza.

Edhe komentet e tij, edhe raportimet televizive erdhën pasi gazeta “The Washington Post” raportoi se Netanyahu i kishte thënë presidentit amerikan, Joe Biden, gjatë një bisede telefonike më 8 tetor se hakmarrja e Izraelit nuk do të përfshijë sulme ndaj caqeve joushtarake, duke cituar një zyrtar që tha se sulmi do të jetë i dizajnuar për ta shmangur “ndërhyrjen politike në zgjedhjet e ShBA-së”, që do të mbahen në fillim të muajit të ardhshëm./Nacionale

Lajme të ngjashme