Talibanët arrestojnë gratë që protestojnë kundër ndalimit të universitetit
Talebanët kanë arrestuar pesë gra të cilat po merrnin pjesë në një protestë në Kabul, kundër ndalimit të ndjekjes së universitetit për gratë.
Ndërsa mësohet se protesta janë zhvilluar edhe në provincën Takhar, një ditë pas shpalljes së ndalimit, rojtarët kanë ndaluar qindra gra që të hynin në universitete.
Vendimi, është politika më e fundit që kufizon arsimimin e grave që kur talebanët janë kthyer në pushtet vitin e kaluar, pasi vajzat tashmë ishin të përjashtuara nga shkollat e mesme. Ndërsa, ndalimi i ri i vendosur një ditë më parë, është zbatuar me efekt të menjëhershëm nga ministri i arsimit të lartë, duke u dhënë urdhër universiteteve publike dhe private që të ndalojnë gratë nga frekuentimi i tyre.
Sipas The Guardian, ministria e Arsimit ka thënë se studiuesit e saj kishin vlerësuar kurrikulën dhe mjedisin universitar dhe frekuentimi për vajzat do të pezullohej "derisa të sigurohej një mjedis i përshtatshëm".
Por ky vendim nuk është pranuar nga shoqëria, ku pamje të shpërndara në media sociale kanë treguar dhjetëra gra afgane të mbuluara me hixhabe duke marshuar nëpër rrugët e Kabulit, me parulla në duar.
Një protestues ka njoftuar se “disa nga vajzat" ishin arrestuar, ndërsa është bërë e ditur se mosbindjes civile i janë përgjigjur edhe disa burra, ku rreth 50 profesorë meshkuj universitetesh kanë dhënë dorëheqje nga postet e tyre, ndërsa disa studentë meshkuj kanë refuzuar të futen në provime.
Kujtojmë se pas marrjes së pushtetit në gusht të 2021, pas tërheqjes së ShBA-së nga vendi, talebanët kishin premtuar një rregull më të butë, megjithatë, islamistët e linjës së ashpër kanë vazhduar të zhvlerësojnë të drejtat dhe liritë e grave në vend.

