Sulmi në stacionin e trenit dhe paralajmërimi për ofensivë të re – çfarë po ndodh në Ukrainë
Sulmi në stacionin e trenit: Të paktën 50 njerëz, përfshirë pesë fëmijë, u vranë dhe gati 100 të tjerë u lënduan të premten nga një sulm rus me raketë në një stacion treni që përdoret për evakuimin e civilëve. Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e quajti krim lufte këtë sulm dhe u zotua se do të mbahen përgjegjës të gjithë ata që janë të përfshirë.
Presioni rus për një fitore: Sipas dy zyrtarëve evropianë, rusët po ndiejnë presion për të arritur një lloj fitoreve deri më 9 maj. Më 9 maj, Rusia e shënon Ditën e Fitores kundër Gjermanisë në Luftën e Dytë Botërore. Kur ka mbetur edhe një muaj deri te kjo datë, zyrtarët evropianë thanë se Rusia është duke i rigrupuar dhe ndërruar forcat në juglindje të Ukrainës me qëllim të arritjes së një lloj fitoreve rajonale.
Rigrupimi në lindje: Zyrtarët ukrainas kanë paralajmëruar për atë që thonë se mund të jetë një ofensivë e madhe ruse në lindje të Ukrainës. Shefi ukrainas i inteligjencës së mbrojtjes tha se trupat ruse janë duke u rigrupuar në Belgorod dhe se planifikojnë të avancojnë drejt qytetit lindor, Kharkiv.
Skenë “e çmendur” në Çernobil: Televizionit CNN i është dhënë qasje ekskluzive në centralin bërthamor të Çernobilit, për herë të parë që nga kthimi i tij nën kontrollin ukrainas. Niveli i rrezatimit në një dhomë të përdorur nga ushtarët rusë është më i lartë se niveli normal. Zyrtarët thonë se kjo është shkaktuar nga grimcat e vogla dhe pluhuri që ushtarët e kanë sjellë në ndërtesë. Në një incizim me dron shihen llogoret e hapura nga ushtarët rus në Pyllin e Kuq, që është i kontaminuar me mbetje bërthamore, thonë zyrtarët.
Disa grupe për të drejtat e njeriut përjashtohen nga Rusia: Ministria e Drejtësisë e Rusisë tha se ua ka tërhequr regjistrimin 15 zyrave përfaqësuese të organizatave ndërkombëtare dhe OJQ-ve të huaja, përfshirë grupet e njohura, “Amnesty International” dhe “Human Rights Watch”.
Gjenden trupa në rajonin e Kievit: Në Bucha, skenë e masakrimit të civilëve pas tërheqjes së trupave ruse, 164 trupa janë gjetur deri më tani, tha prokurorja e përgjithshme e Ukrainës, Iryna Venediktova. Në Makariv, forcat ruse kanë vrarë 132 civilë, tha kryetari i kësaj qyteze, duke shtuar se pothuajse e tërë infrastruktura është shkatërruar.
ShBA-ja beson se Rusia përdori raketë hipersonike: Një zyrtar i lartë i mbrojtjes në Shtetet e Bashkuara tha se vendi i tij beson se Rusia përdori një raketë balistike me rreze të shkurtër veprimi në sulmin ndaj një stacioni treni të premten në Ukrainë. Zyrtari amerikan i mbrojtjes, duke folur në kushte anonimiteti, tha se Pentagoni beson se forcat ruse përdorën një raketë të tipit “Scarab SS-21” në këtë sulm, por motivi i sulmit nuk është i qartë, raporton agjencia “Reuters”.
Britania pret shtim të sulmeve ajrore ruse në jug dhe në lindje: Në përditësimin më të ri të të dhënave të inteligjencës, Ministria e Mbrojtjes e Britanisë së Madhe tha se pritet që aktiviteti ajror rus të shtohet në jug dhe në lindje të Ukrainës. Kjo ministri tha se forcat ruse po vazhdojnë t’i godasin ukrainasit që nuk janë pjesë e luftimeve, si ata që u vranë të premten nga sulmi me raketë në stacionin e trenit në qytetin Kramatorsk.