Sulmi në sallën e koncerteve afër Moskës: Çfarë dihet deri më tani?
Autoritetet ruse raportojnë se të paktën 93 persona janë vrarë nga sulmi masiv në një sallë koncertesh në Moskë. Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë ISIS-i. Çfarë dihet deri më tani?
-Disa persona të armatosur hapën zjarr në Sallën “Crocus”, e cila ka 6.200 ulëse dhe ndodhet në Krasnogorsk, afër Moskës, të premten në mbrëmje, përderisa njerëzit po i zinin ulëset e tyre për një koncert të grupit rus të muzikës rok, “Piknik”. Të gjitha biletat për këtë koncert ishin shitur, raporton gazeta “The Guardian”.
-93 persona janë vrarë në sulm, tha në orët e hershme të së shtunës një zëdhënës i Komitetit Hetues të Rusisë, ndërsa thuhet se numri mund të rritet. Më herët, autoritetet kishin thënë se të paktën 145 persona janë plagosur. Agjencia e lajmeve RIA e citoi guvernatorin e Moskës, Andrey Vorobyov, të ketë thënë se 110 persona të rritur e pesë fëmijë janë dërguar në spital, ndërsa 60 prej të rriturve janë në gjendje serioze.
-Besohet se në sulm ishin të përfshirë deri në pesë persona të armatosur. Më vonë, përgjegjësinë për sulmin e mori ISIS-i përmes një shkrimi në rrjetin “Telegram”, në të cilin lihet të kuptohet se sulmuesit kishin arritur që të iknin më pas. Në video të publikuara në rrjete sociale të afërta me shërbimet e sigurisë shihen të paktën dy burra të armatosur duke hyrë në sallë.
-Në videot që kanë qarkulluar shihen burra me pajisje luftarake duke hapur zjarr me armë automatike, përderisa rusët në panik po mundoheshin të iknin për të shpëtuar. Një dëshmitar i tha agjencisë së lajmeve AFP se përderisa njerëzit po vraponin drejt daljeve emergjente, “ishte një shtypje e tmerrshme”, kur vizitorët e koncertit po kërcenin mbi kokat e njëri-tjetrit për të dalë jashtë.
-Një gazetar i agjencisë së lajmeve RIA në koncert tha se sulmuesit gjithashtu hodhën një granatë ose bombë ndezëse, e cila shkaktoi një zjarr që u shpërnda shpejt nëpër ndërtesë. RIA raportoi se kulmi i sallës po shembej. Tre helikopterë u përfshinë në përpjekjet për ta shuar zjarrin. Pak pas mesnatës, Ministria e Emergjencave tha se zjarri ishte frenuar.
-Ministria e Emergjencave tha se zjarrfikësit kishin ndihmuar rreth 100 persona që të iknin përmes bodrumit të sallës. Agjencia e lajmeve “Tass”, tha se të gjithë anëtarët e rok-grupit “Piknik” ishin evakuuar në mënyrë të sigurt. Operacione shpëtimi u nisën edhe për njerëzit e ngujuar në kulm.
-Autoritetet thanë se një hetim “terrorist” kishte nisur dhe se presidenti rus, Vladimir Putin, po merrte përditësim “konstant” të informacioneve, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
-Më herët këtë muaj, disa shtete perëndimore, të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara, kishin lëshuar paralajmërime për rrezik nga terrorizmi dhe u kishin thënë shtetasve të tyre që të mos merrnin pjesë në tubime publike në Rusi. Më 8 mars, ambasada amerikane në Moskë kishte thënë se ishte “duke vëzhguar raportime se ekstremistët kanë plane të menjëhershme për të vënë në shënjestër tubime të mëdha në Moskë, përfshirë koncertet, dhe shtetasit e ShBA-së duhet të jenë të këshilluar që t’i shmangin tubimet e mëdha gjatë 48 orëve të ardhshme”.
-Rusia nuk fajësoi askënd menjëherë për sulmin. Megjithatë, ish-presidenti Dmitry Medvedev tha se udhëheqësit ukrainas që zbulohen se janë të përfshirë do të “shkatërrohen”.
-Presidenca e ShBA-së e quajti “të tmerrshëm” sulmin dhe tha se nuk kishte shenja të menjëhershme se rasti kishte ndonjë lidhje me konfliktin në Ukrainë. Presidenca ukrainase tha se Kievi “nuk ka të bëjë asgjë” me sulmin, ndërsa inteligjenca ushtarake ukrainase e quajti incidentin “provokim” rus dhe i akuzoi shërbimet speciale ruse se qëndrojnë prapa sulmit.
-Autoritetet ruse i shtuan masat e sigurisë në aeroporte, qendra të transportit dhe në mbarë kryeqytetin – sipërfaqe e madhe urbane me mbi 21 milionë banorë. Të gjitha tubimet e mëdha publike janë anuluar në mbarë vendin.