Sulmet me raketa gjatë vizitës së Guterres në Kiev, Podolyak: Kartolinë nga Moska
Ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së António Guterres vizitoi kryeqytetin ukrainas, Rusia sulmoi kryeqytetin me dy raketa, një lëvizje që ishte e vështirë të shihej si diçka tjetër përveçse që Moska tallte institucionin, shkruan The Guardian.
Zyrtarët ukrainas nxituan të nënvizonin kohën e jashtëzakonshme të sulmit, vetëm një ditë pasi Guterres u takua me Vladimir Putin (në tryezën shumë të gjatë që lideri rus po përdor për shumë takime).
Duke komentuar sulmin, këshilltari presidencial i Ukrainës, Mykhailo Podolyak tha se, "një ditë më parë ai ishte ulur në një tavolinë të gjatë në Kremlin, dhe sot shpërthimet janë mbi kokën e tij. Kartolinë nga Moska?"
Ndërsa, ministri i Mbrojtjes Oleksii Reznikov i quajti sulmet si “një sulm për sigurinë e Sekretarit të Përgjithshëm dhe për sigurinë botërore!"
Kujtojmë se, më herët gjatë ditës Guterres tha se pushtimi rus i Ukrainës, ka shkelur statutin e OKB-së.
Ndërsa në javët e fundit, një varg vizitash nga liderë të aleatëve perëndimorë dhe zyrtarë të lartë amerikanë - nga kryeministri britanik Boris Johnson te Sekretarët e Shtetit dhe Mbrojtjes të ShBA-së, Antony Blinken dhe Lloyd Austin - kanë kaluar pa sulme.