Studiuesit thonë se konsumimi i rregullt i kanabisit mund të shkaktojë sulm në zemër - NACIONALE

Studiuesit thonë se konsumimi i rregullt i kanabisit mund të shkaktojë sulm në zemër

3 vjet më parë

nga Miranda Shala

Një studim i ri ka treguar se pavarësisht nëse marihuana pihet si duhan apo merret në çfardo forme të ngrënies, konsumimi i rregullt mund të shkaktojë atak në zemër.

I cilësuar si një nga studimet më të mëdha që është bërë në lidhje me fektet afatgjatë të drogës në zemër, është zbuluar se njerëzit që e përdorin marihuanën çdo ditë, janë shumë më të rrezikuar të zhvillojnë sëmundje të arterieve koronare (CAD).

CAD është forma më e zakonshme e sëmundjes së zemrës, ku kolesteroli ngushton arteriet që furnizojnë organin me gjak, duke shkaktuar dhimbje gjoksi, gulçim dhe lodhje dhe mund të sjellë edhe sulme në zemër.

Sipas The Independent, studiuesit kanë thënë se pa marrë parasysh moshën apo gjinën, përdoruesit e kanabisit dhe alkoolit ishin në rrezik kardiovaskular, dhe nuk kishte rëndësi nga forma që merrej droga.

Çrregullimi i përdorimit të kanabisit është një çrregullim i njohur psikiatrik që bazohet në atë se sa shpesh njerëzit e përdorin drogën dhe sa të varur janë. Studiuesit nga Kolegji Amerikan i Kardiologjisë kanë bërë thirrje që njerëzit ta kuptojnë se kanabisi nuk është pa rrezik, duke shtuar se njerëzit duhet të njoftojnë mjekët e tyre nëse përdorin drogën, në mënyrë që klinicistët të mund të fillojnë të monitorojnë shëndetin e zemrës.

“Për sa i përket mesazhit të shëndetit publik, studimi tregon se ndoshta ka disa dëme të përdorimit të kanabisit që nuk njiheshin më parë, dhe njerëzit duhet ta marrin parasysh këtë,”- kanë thënë studiuesit, duke shtuar se nga pikëpamja shkencore, ky zbulim është emocionues pasi mund të sjellë objektiva dhe mekanizma të rinj për të eksploruar më shumë në këtë drejtim.

Për rezultatet e këtij studimi, bëhet e ditur se është aplikuar një metodë e bazuar në gjenetikë që bën identifikimin e një lidhjeje shkakësore midis përdorimit të kanabisit dhe zhvillimit. Ndërsa është zbuluar se ata që përdornin kanabisin kishin rreth 34% më shumë gjasa për të zhvilluar sëmundjen e arterieve koronare.

Është zbuluar se molekula psikoaktive që i bën përdoruesit "high", THC (tetrahydrocannabinol), vepron në receptorët e sistemit nervor qendror, në zemër dhe enët e gjakut, dhe se ndërveprimi i THC me enët e gjakut mund të inflamojë tubat dhe të shkaktojë krijimin e pllakave, duke çuar në CAD.

Lajme të ngjashme