Shkencëtarët zbulojnë gjene të Alzheimerit që lidhen me obezitetin
Një hulumtim i ri i shkencëtarëve ka zbuluar një lidhje mes obezitetit dhe sëmundjes së Alzheimerit.
Shkencëtarët kanë thënë se zbulimi i ri ofron një shpjegim përse sëmundja e Alzheimerit ndonjëherë është më e zakonshme tek të rriturit që kanë përjetuar obezitet në moshën e mesme, duke shtuar se është e rëndësishme të trajtohet obeziteti dhe të fillohet humbja e shëndetshme e peshës kur njerëzit arrijnë të 40-at dhe 50-at e tyre.
The Independent shkruan se studiuesit kanë analizuar të dhënat nga 5619 njerëz në Studimin e Zemrës në Framingham - një studim i vazhdueshëm në Amerikë – dhe kanë gjetur 74 gjene të lidhura me Alzheimer.
Ata kanë zbuluar se 13 prej gjeneve të kësaj sëmundjeje ishin të lidhura me indeksin e masës trupore (BMI), ndërsa tetë gjene tjera, të lidhura me një metrikë të dytë të obezitetit të quajtur raporti i belit ndaj ijeve.
Claudia Satizabal, nga Instituti Glenn Biggs për Alzheimerin dhe Sëmundjet Neurodegjenerative në Universitetin e Teksasit, ka thënë se: "Disa nga gjenet ishin më të lidhura me obezitetin në moshën e mesme kundrejt moshës së vonë, dhe gjithashtu me obezitetin tek gratë kundrejt burrave.”
Satizabal ka shtuar se gjetjet janë në përputhje me studimet e mëparshme që sugjerojnë se mbipesha mund të jetë një faktor në rrezikun e sëmundjes Alzheimer tek gratë.
Sipas ekspertëve, njerëzit që zhvillojnë demencë priren të humbin peshë rreth pesë deri në 10 vjet para fillimit të sëmundjes, e kjo mund të jetë humbje e pashëndetshme e peshës që shkaktohet nga vetë sëmundja.
“Ne mendojmë se është më e rëndësishme të trajtojmë obezitetin dhe të fillojmë humbjen e shëndetshme të peshës në moshën e mesme, në të 40-at dhe 50-at, kur obeziteti mund të ndikojë në shprehjen e gjeneve që kemi studiuar,” – ka shtuar Satizabal.
Studiuesit kanë thënë më tej se është thelbësore të kuptuarit e lidhjes midis shëndetit të trurit dhe peshës trupore.
Gjetjet e fund janë publikuar në revistën Alzheimer's & Dementia.

