Studim: Pikëpamjet ekstremiste djathtiste në Gjermani, gjithnjë më të përhapura
Qëndrimet ekstremiste të së djathtës dhe qëndrimet anti-demokratike janë duke u bërë gjithnjë më të përhapura në Gjermani, sipas një hulumtimi për pikëpamjet politike të gjermanëve.
I porositur nga Fondacioni “Friedrich Ebert”, që është i lidhur ngushtë me Partinë Socialdemokrate, studimi tregon se 8 për qind e popullsisë në Gjermani ka pikëpamje djathtiste ekstremiste të dallueshme për botën, numër që përbën rritje për 5 deri në 6 për qind në krahasim me hulumtimet e kaluara, raporton gazeta “The Guardian”.
Në rezultatet e hulumtimit thuhet, gjithashtu, se ka shkuar në 6 për qind niveli i personave të anketuar që i mbrojnë pikëpamjet sociale darviniste, duke u pajtuar me deklaratën se “ka jetë të denjë dhe të padenjë”, dukshëm më shumë se 2 deri në 3 për qind më 2014.
Përqindja e atyre që duan shtet të udhëhequr nga një parti ose shtet autoritar shkoi në 6 për qind, nga 2 deri në 4 për qind, sa ishte në vitin 2014.
Hulumtimi me 400 faqe, i kryer nga hulumtuesit në Universitetin e Bielefeldit, përfshiu dy mijë persona në fillim të këtij viti dhe në këtë grup kishte njerëz të kategorive të ndryshme të popullsisë.
Një numër në rritje i të anketuarve thanë se e shohin nevojën që Gjermania të përqendrohet në rend të parë në çështje kombëtare. 16 për qind e pjesëmarrësve thanë se do të donin që vendi të kishte “një ndjenjë më të fuqishme të identitetit kombëtar”, të udhëhequr nga politikë, prioriteti i të cilëve do të duhej të ishte që të siguroheshin që Gjermania ta kishte pjesën e saj të drejtë të “pushtetit dhe prestigjit”.
Më pak se 60 për qind e pjesëmarrësve thanë se kishin besim në demokraci dhe në institucione, ndërsa 20 për qind – 4 për qind më shumë se në të kaluarën – thanë se besonin në deklaratën që “vendi ynë gjithnjë më shumë i ngjan një diktature se një demokracie”.
Më shumë se një e treat e pjesëmarrësve besojnë se refugjatët kanë shkuar në Gjermani vetëm për ta shfrytëzuar sistemin e mirëqenies sociale, ndërsa 16,5 për qind e të anketuarve i akuzuan çiftutët se duan që të përfitojnë nga e kaluara naziste – pavarësisht nga fakti se gjashtë milionë çifutë janë vrarë nga nazistët.
Autorët e hulumtimit kanë thënë se kishte shenja të mëtejme për shtim të mungesës së tolerancës, denigrimit dhe paragjykimit.
