Stoltenbergu shkon papritmas në Ukrainë: Forcat ukrainase po fitojnë terren gradualisht
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, në një vizitë të paparalajmëruar në Kiev, tha të enjten se forcat ukrainase ishin “duke fituar terren gradualisht” në kundërsulmin e tyre kundër forcave ruse.
Duke folur në një konferencë të përbashkët për gazetarë me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, Stoltenbergu tha se “çdo metër që forcat ukrainase e rifitojnë, është një metër që Rusia e humb”, raporton agjencia “Reuters”.
“Dhe është një kontrast i qartë: ukrainasit po luftojnë për familjet e tyre, për të ardhmen e tyre, për lirinë e tyre. Moska po lufton për iluzione imperialiste”- shtoi ai.
Presidenti Zelensky e theksoi nevojën e Ukrainës për më shumë mbrojtje ajrore nga sulmet ruse, duke thënë se Moska përdori mbi 40 dronë të tipit “Shahed” në sulmet ndaj Ukrainës vetëm gjatë natës së kaluar.
“Dhe kështu është pothuajse çdo natë. Në kushte të sulmeve të tilla intensive kundër ukrainasve, kundër qyteteve, porteve tona – të cilat janë të rëndësishme për sigurinë globale të ushqimit – ne kemi nevojë për rritje me përputhje të presionit ndaj Rusisë dhe rritje me përputhje të mburojës sonë ajrore”- tha ai.
Në anën tjetër, sekretari Stoltenberg tha se ai vazhdimisht ishte duke i shtyrë aleatët e NATO-s që t’i ofronin më shumë përkrahje Ukrainës dhe që t’i përshpejtonin dërgesat, “jo më pak” edhe ato të sistemeve të mbrojtjes ajrore.
Ai njoftoi se NATO-ja tashmë kishte në fuqi kontrata gjithëpërfshirëse kornizë me kompani të armëve me vlerë të 2,4 miliardë eurove për municion, përfshirë një miliard euro në porositë për firma.
Stoltenbergu i dënoi sulmet ruse afër kufirit të Ukrainës me anëtaren e NATO-s, Rumaninë. Ai tha se nuk kishte dëshmi që këto sulme ishin veprim i qëllimshëm ndaj Rumanisë, por i cilësoi “të pamatura” dhe “destabilizuese”.
