Stoltenberg: Vetëm ukrainasit vendosin se kur janë kushtet për bisedime të paqes
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha të enjten se i përket Ukrainës që të vendosë se kur janë kushtet e duhura për t’u bërë pjesë e bisedimeve rreth pushtimit rus, duke e theksuar qëndrimin e pandryshuar të aleancës pas komenteve të një zyrtari të NATO-s se Ukraina do të mund të dorëzonte territor.
“Janë ukrainasit, dhe vetëm ukrainas, që mund të vendosin se kur ekzistojnë kushtet për bisedime dhe kush mund të vendosë në tavolinën e bisedimeve se çfarë është një zgjidhje e pranueshme”- tha Stoltenbergu.
Duke folur në një konferencë në qytezën norvegjeze, Arendal, ai shtoi se roli i NATO-s është që ta përkrahë Ukrainën.
Deklaratat e zyrtarit të lartë erdhën pas komenteve të shefit të stafit të NATO-s, Stian Jenssen, i cili të martën tha se Ukraina në fund mund t’i dorëzojë territor Rusisë si pjesë e një marrëveshjeje për t’i dhënë fund luftës. Më pas, Jensseni tha se i vjen keq për komentet, raporton agjencia “Reuters”.
“Porosia e tij (e Jenssenit), e që është porosia ime kryesore dhe e cila është porosia kryesore e NATO-s, është, në rend të parë, që politika e NATO-s është e pandryshuar – ne e përkrahim Ukrainën”- shtoi Stoltenbergu.
NATO-ja tha muajin e kaluar në samitin e Lituanisë se aleanca do t’i dërgojë ftesë për anëtarësim Ukrainës, kur “anëtarët të pajtohen dhe kur kushtet të plotësohen” dhe se ky shtet ka të drejtë që ta zgjedhë rrugën e vet në mënyrë të pavarur nga Rusia.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se përderisa rezultati i samitit të NATO-s në korrik ka qenë i mirë, do të ishte ideale nëse vendi i tij do të pranonte ftesë të menjëhershme për anëtarësim.
