Stoltenberg ka frikë se lufta në Ukrainë mund të shndërrohet në një luftë NATO-Rusi
Kreu i NATO-s ka shprehur shqetësimin se luftimet në Ukrainë mund të dalin jashtë kontrollit dhe të shndërrohen në një luftë midis Rusisë dhe NATO-s.
“Nëse gjërat shkojnë keq, ato mund të shkojnë tmerrësisht keq”, është shprehur Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg në një intervistë për transmetuesin norvegjez NRK.
“Është një luftë e tmerrshme në Ukrainë. Është gjithashtu një luftë që mund të bëhet një luftë e plotë që përhapet në një luftë të madhe midis NATO-s dhe Rusisë”, ka thënë ai, duke shtuar se, po punohet çdo ditë që të shmanget një gjë e tillë.
Kujtojmë se, Kremlini ka akuzuar vazhdimisht aleatët e NATO-s se janë bërë efektivisht një palë në konflikt duke i ofruar Ukrainës armë, duke trajnuar trupat e saj dhe duke ushqyer inteligjencën ushtarake për të sulmuar forcat ruse.
Ndërsa në komentet që pasqyronin tensionet në rritje midis Rusisë dhe Perëndimit, presidenti Vladimir Putin sugjeroi se Moska mund të mendojë për përdorimin e asaj që ai e përshkroi si konceptin e ShBA-së për një sulm parandalues.
“Duke folur për një goditje çarmatosëse, ndoshta ia vlen të mendohet për miratimin e ideve të zhvilluara nga homologët tanë amerikanë, idetë e tyre për të garantuar sigurinë e tyre,” tha ai.
Edhe shumë kohë përpara luftës në Ukrainë, Kremlini ka shprehur shqetësimin për përpjekjet e ShBA-së për të zhvilluar të ashtuquajturën aftësinë Prompt Global Strike që parashikon goditjen e objektivave strategjikë të një kundërshtari me armë konvencionale të drejtuara me saktësi kudo në botë brenda një ore.
Putin vuri në dukje se një sulm i tillë mund të rrëzojë objektet komanduese.
"Ne thjesht po mendojmë për këtë, ata nuk kishin turp të flisnin hapur për të gjatë viteve të fundit," ka thënë ai, duke pretenduar se raketat e lundrimit të drejtuara me saktësi të Moskës i tejkalojnë armët e ngjashme amerikane dhe Rusia ka armë hipersonike që ShBA nuk i ka të gatshme.

