Rusia thotë se disa diplomatë rusë e amerikanë janë takuar në Stamboll
Disa diplomatë nga Rusia dhe nga Shtetet e Bashkuara u takuan të premten në Stamboll për të diskutuar për disa çështje teknike në marrëdhëniet dypalëshe, citohet të ketë thënë zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Rusisë, Sergei Ryabkov.
Agjencia ruse e lajmeve, TASS, raportoi se të dyja palët do të diskutonin “çështje të vështira”, përfshirë vizat, nivelet e stafit të ambasadave dhe punën e institucioneve dhe agjencive të njëra-tjetrës jashtë këtyre shteteve, mes çështjesh tjera të pasaktësuara.
Zëvendësministri Ryabkov tha se takimi u zhvillua mes krerëve të departamenteve nga Ministria e Jashtme e Rusisë dhe Departamenti i Shtetit i ShBA-së – nivel relativisht i ulët. Ai tha se takimi në Stamboll ishte teknik dhe se nuk duhet të shihet si shenjë që të dyja palët janë të gatshme për ta vazhduar diskutimin për “çështje të mëdha”.
Ambasada e Rusisë në Uashington dhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Moskë kanë mbetur me staf të zvogëluar në vitet e fundit pas një vargu dëbimesh hakmarrëse të dhjetëra diplomatëve amerikanë e rusë nga këto ambasada.
Shefi i shërbimit për inteligjencë të jashtme në Rusi, Sergei Naryshkin, dhe drejtori i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës [CIA] të ShBA-së, William Burns, u takuan në Ankara më 14 nëntor në kontaktin e nivelit më të lartë mes dy shteteve që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës në shkurt.
